E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, deklaroi se Shqipëria është e hapur për investimet e huaja, por theksoi se ato duhet të zhvillohen në përputhje me interesat kombëtare dhe standardet ndërkombëtare.
Gjatë prezantimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi Investimet e Huaja Direkte (IHD), VanHorn vlerësoi punën e institucioneve shqiptare për ngritjen e mekanizmave të shqyrtimit të investimeve dhe garantoi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në këtë proces.
“Kuadri i shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte nuk është thjesht një ushtrim burokratik, por një deklaratë strategjike. Ai tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare dhe përmbush standardet ndërkombëtare”, u shpreh diplomatja amerikane.
VanHorn theksoi se kompanitë amerikane janë tashmë të pranishme në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë e investimit në Shqipëri. Sipas saj, investitorët kanë nevojë për siguri dhe rregulla të qarta.
“Investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne”, deklaroi VanHorn.
Duke iu referuar politikës së investimeve të administratës së presidentit Donald Trump, diplomatja amerikane tha se mirëpritja e investimeve duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sektorëve strategjikë.
Ajo nënvizoi se miratimi i legjislacionit është vetëm hapi i parë dhe se sfida e vërtetë mbetet zbatimi i tij në praktikë.
“Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi”, tha VanHorn.
Diplomatja amerikane u bëri thirrje edhe përfaqësuesve të biznesit të shohin mekanizmat e shqyrtimit të investimeve si një garanci për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për investimet afatgjata.



