Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka reaguar në rrjetet sociale duke bërë deklarata në lidhje me projektligjin e propozuar nga kongresmeni amerikan Joe Wilson, që lidhet me raportimin e çështjeve të drogës në Shqipëri dhe bashkëpunimin e qeverisë.
Sipas Kokalarit, Wilson është i lidhur ngushtë me vëllezërit Al Khayyat, të cilët ajo i përshkruan si bashkëpronarë të lidhur me Jared Kushner. Ajo pretendon se nisma ligjore është nxitur nga Al Khayyat dhe se ky ndikim ka qenë vendimtar në ndërmarrjen e këtij hapi.
“Kongresmeni Joe Wilson është shumë i afërt me vëllezërit Al Khayyat, bashkëpronarë të Jared Kushner, dhe ju garantoj se Joe Wilson është shtyrë nga Al Khayyat për të ndërmarrë këtë hap super të rëndësishëm për Shqipërinë”, shkruan Kokalari.
Ajo shton se zhvillimet tregojnë, sipas saj, mungesë njohjeje të realitetit në Shqipëri nga disa prej aktorëve të përfshirë.
“Kjo flet qartë se këta nuk e kishin fare idenë se çfarë ndodhte në Shqipëri. Në fakt, shumë prej nesh nuk e kishim imagjinuar sa masive ishte skema”, vijon ajo.
Në reagimin e saj, Kokalari përmend edhe të ashtuquajturat “Albanian Files”, duke thënë se ato dokumente kanë nxjerrë në pah përmasat e situatës, të cilat sipas saj nuk ishin të njohura më parë.
Ajo gjithashtu kritikon kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se ka publikuar këto materiale si një arritje, sipas saj, në një qëndrim të “fodorullëkut” që e ka shkëputur nga realiteti.
Deklaratat e saj janë bërë në rrjetet sociale dhe për momentin nuk janë shoqëruar me reagime zyrtare nga personat apo institucionet e përmendura.



