back to top
30.8 C
Tirana
E shtunë, 4 Korrik, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaDebati të forta mes organizatorëve të protestës për krijimin e Kuvendit/ Mesazhet

Debati të forta mes organizatorëve të protestës për krijimin e Kuvendit/ Mesazhet

Nisma për krijimin e “Kuvendit Kombëtar Qytetar” ka nxitur debate dhe përplasje mes organizatorëve dhe mbështetësve të protestës, vetëm një ditë pas mbledhjes së grupit të punës që njoftoi miratimin e platformës dhe kritereve të anëtarësimit.

Sipas diskutimeve të zhvilluara në një grup komunikimi me mbi 500 pjesëmarrës, janë ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e grupit nismëtar dhe mënyrën se si po organizohet procesi i përfaqësimit të protestuesve.

Në një reagim publik, gazetari Armir Shkurti bëri të ditur se grupi i punës, i përbërë nga rreth 80 persona, miratoi në unanimitet platformën dhe kriteret e anëtarësimit pas një mbledhjeje pesëorëshe.

Megjithatë, në diskutimet e brendshme disa pjesëmarrës kanë kërkuar sqarime mbi mënyrën e krijimit të këtij grupi.

“Kush e zgjodhi grupin e punës?”, “Kush vendosi që këta persona të organizojnë Kuvendin?” dhe “Kush garanton transparencën e procesit?” janë disa nga pyetjet e ngritura gjatë debatit.

Një pjesë e pjesëmarrësve kanë argumentuar se çdo strukturë që synon të përfaqësojë protestuesit duhet të ndërtohet mbi një proces të hapur dhe transparent.

“Në demokraci ka një dallim të madh mes ‘ne propozojmë’ dhe ‘ne përfaqësojmë’. Propozimin mund ta bëjë kushdo. Përfaqësimin e jep vetëm komuniteti që përfaqësohet”, thuhet në një nga reagimet.

Një tjetër pjesëmarrës është shprehur se “legjitimiteti nuk shpallet, por fitohet”, duke kërkuar më shumë transparencë në proces.

Nga ana tjetër, mbështetësit e nismës kanë sqaruar se grupi i punës nuk përfaqëson vetë Kuvendin, por është një strukturë e përkohshme e ngritur për të përgatitur organizimin e tij. Sipas tyre, pjesëmarrja në proces ka qenë e hapur për të gjithë të interesuarit dhe Kuvendi ende nuk është krijuar zyrtarisht.

Debati ka vijuar edhe mbi prioritetet e lëvizjes. Disa kanë kërkuar që fokusi të mbetet tek protestat dhe kërkesat politike, ndërsa të tjerë kanë insistuar se krijimi i strukturave përfaqësuese kërkon rregulla të qarta dhe një proces të besueshëm.

Në diskutime është përmendur edhe emri i aktivistit Edviol Kulluri si një prej nismëtarëve të idesë për “Kuvendin Kombëtar Qytetar”. Emri i tij ishte objekt polemikash edhe më herët, pasi kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pretendime lidhur me procedime të mëparshme ndaj tij. Këto pretendime nuk janë komentuar nga grupi nismëtar.

Polemikat e ditëve të fundit tregojnë se krijimi i “Kuvendit Kombëtar Qytetar”, në vend që të bashkojë protestuesit rreth një strukture të përbashkët, ka nxjerrë në pah edhe ndasitë mbi mënyrën e organizimit dhe përfaqësimit të lëvizjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat