Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Reagimet e dy kongresmenëve amerikanë, Joe Wilson dhe Robert Aderholt, dhe deklarata e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për protestat sjellin në vëmendje dy çështje kryesore, respektimin e të drejtave demokratike dhe refuzimin e dhunës. Megjithatë, deklaratat ndryshojnë në theksin që vendosin.
Kongresmenët amerikanë Joe Wilson dhe Robert Aderholt kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri, duke kërkuar respektimin e shtetit të së drejtës, institucioneve të përgjegjshme dhe të drejtës së qytetarëve për të protestuar paqësisht.
Në reagimet e tyre të publikuara në rrjetin social X, të dy përfaqësuesit e Kongresit amerikan i drejtohen qeverisë shqiptare me kërkesën për të respektuar të drejtat e protestuesve dhe për të garantuar që të rinjtë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit.
Joe Wilson deklaroi se populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe institucione që mbajnë përgjegjësi, ndërsa theksoi se qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve.
Edhe Robert Aderholt kërkoi që të gjitha palët të refuzojnë dhunën, duke nënvizuar se qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë.
Ambasada amerikane: Dhuna nuk është angazhim qytetar
Një qëndrim të qartë kundër dhunës ka shprehur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila reagoi mbrëmjen e së shtunës pas përshkallëzimit të protestave.
“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Përfaqësia diplomatike amerikane u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme, ndërsa kërkoi vetëpërmbajtje dhe qetësi nga të gjitha palët.
Dy qëndrime amerikane për protestat?
Në thelb, deklaratat nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën. Të gjitha theksojnë rëndësinë e shmangies së dhunës dhe të respektimit të të drejtave demokratike.
Dallimi qëndron te fokusi. Kongresmenët Wilson dhe Aderholt e lidhin situatën edhe me përgjegjësinë e qeverisë, sundimin e ligjit, llogaridhënien institucionale dhe të drejtën e të rinjve për të ndikuar në të ardhmen e Shqipërisë.
Ambasada amerikane, nga ana tjetër, përqendrohet te karakteri paqësor i protestave, dëmtimet fizike dhe shkatërrimi i pronës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje.
Mesazhi i përbashkët është se dhuna nuk mund të justifikohet si angazhim qytetar dhe se e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Ndërsa deklaratat e kongresmenëve ngrenë shprehimisht edhe çështjen e përgjegjësisë së qeverisë për garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.



