Kryekomisioneri Zgjedhor Ilirjan Celibashi tha gjatë një takimi me gazetarët sot se Koalicioni ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ dhe PD nuk kanë dorëzuar deri tani kontratën e lobimit me kompaninë amerikane “Continental”, me vlerë 6 mln dollarë.
Celibashi shpjegoi se koalicioni i PD e ka detyrim ligjor dorëzimin e raporteve financiare dhe shpenzimeve të fushatës, por afati përfundon 60 ditë pas shpalles së rezultatit të zgjedhjeve dhe vetëm atëherë vijon verifikimi i shifrave apo nëse dokumentet janë dorëzuar.
“Partitë politike kanë detyrim që të depozitojnë në KQZ të ardhurat dhe shpenzimet jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës. Kurse koalicionet jo më vonë se 60 dit nga shpallja e rezultatit zgjedhor. Kjo përfshin edhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore, përfundon jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit.
Nuk ka detyrim në këto momente që t’i dorëzojë të ardhurat dhe shpenzimet si subjekt zgjedhor dhe që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk ka as detyrim, sikurse thuhet se ‘pse nuk është kërkuar kjo kontratë nga ne’. Por në momentin që do e kemi, do japim shpjegimin tonë për këtë kontratë”, tha Celibashi mes të tjerash.
Këmbënguljes së gazetarëve për kontratën e lobimit 6 mln euro, Celibashi i qëndroi mendimit të mëparshëm se ende nuk e kishin dhe për sa kohë nuk është depozituar, KQZ nuk jep dot një vlerësim dhe mendim.
“Më vjen keq por nuk të komentoj rastin konkret për sa kohë ai rast nuk është bërë objekt shqyrtimi nga KQZ. Kur ta kemi këtë objekt shqyrtimi, do e bëjmë të ditur për ju”, sqaroi kreu i KQZ.