back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëMafia e analistëve dhe e mediave në vendin tonë, është mafia më...

Mafia e analistëve dhe e mediave në vendin tonë, është mafia më gjakatare dhe ndotëse

Nga Frrok Çupi

Në artikullin e tij më thotë se e ka fjalën për gazetarë ose analistë… Asnjëri nga nocionet nuk është i saktë…

Nuk kam zakon të bëj polemika me njerëz të veçantë, siç bëjnë disa nga një breg i lumit në tjetrin. Kjo me Fitimin mund të jetë e vetmja.

Ai sapo ka guxuar të shkruajë një artikull ku pyet me nerv: ‘A kanë moral analistët që mbrojnë jetën luksoze të politikanëve të korruptuar?’.

Fitimi mund të kishte bërë disa punë të tjera me rrezik të lartë, por këtë që bëri- jo. Për shembull, mund të kishte parë Saliun duke grabitur, që në fillim, edhe dhuratat në dollarë që i vinin PD-së; por nuk do të ishte me kaq shumë rrezik.

Fitimi mund të kishte qenë edhe në vilën e Ilirit në Lalëz; aty do të kishte parë lemerinë e luksit, si çdo gazetar?

Një gazetare pro- Ilir – Sali, filmoi aty pamje sheikësh të derdhur në flori, e solli filmimin në publik si presion se ‘e shikoni me kë keni të bëni o kokëpalarë’; por u bëri edhe shërbimin tjetër: E fshiu. Shërbejnë ‘analistët’, siç i quan Fitimi.

A kanë moral analistët?

Kjo është pyetja më e rrezikshme, Fitim! Mafia e analistëve dhe e mediave në vendin tonë është mafia më gjakatare dhe ndotëse. Ajo ka një fytyrë të lëmuar gati të lyrshme, ka një zë që nuk i merret vesh asnjë fjalë si në lëmsh; ka edhe shkopin magjik që thotë ‘mos më prek se jam media!’

Të sulmon, të shpif, ta shpif, të okupon hapësirat jetike, zë radhë para njerëzve të pa zhvilluar e thotë ‘jam unë’. Këta shumëzohen përditë sepse ‘jemi demokraci’, këta kanë mbledhur ‘të gjithë qelbësirat’ dhe ia kanë futur në tru një populli të tërë, e jomë ty Fitim…

Po ç’deshe, mik, që u more me pocaqinë e Mafies?

Pastaj, Fitimi bëri një gabim tjetër. Ai sjell pasazhe se si qytetarë të mëdhenj në Perëndim jetojnë thjesht dhe me punën e tyre; kinse po thotë se analistët tanë jetojnë në luks të pamatë.

Po ç’më thua kështu, Fitim? Të jenë edhe analistë, edhe pa pasuri të madhe?! Do të zhdukesh, o miku im, Fitim; pas kësaj do të zhdukesh. Do të të mblidhen qelbësirat që janë ushtria e vjetër e analistëve.

Ose do të pësosh harresën. Do të të thonë, siç më thanë mua: ‘Ç’ne ore na thua për kode!’, dhe ikën.

Kështu më ndodhi në një leksion me studentë të gazetarisë, pak vite të shkuar. Mes të tjerash iu them se sipas kodit të etikës në Britani ‘nëse një gazetar kapet në shoqërinë e një politikani, ai nuk vlen më për këtë punë, sepse medias i bie besimi’ (po ku paskam qenë unë, hane shan e hane Bagdat. Lidhja po bëhej me mafiozët, jo thjesht politikanë)

Tre a katër syresh brofën më këmbë:

-Ohu, çfarë na thua ti, ore!? Të mos pi kafe me deputetin! E kam për nder…

Tjetri e ngriti zërin më shumë:

– Po nuk hëngrëm një drekë në javë me politikanët, çfarë jemi ne, koti?!

Dhe u ngritën e ikën.

Një tjetër, analist i rritur, i ardhur nga Kosova, kërcënoi gjithë ligjin dhe njerëzit e ‘Shqipërisë që nuk di’: ‘Ju që burgosët Ilir Metën, ju jeni ‘banditë’.

Dhe një tjetër analist, po dje, kërcënoi se ‘ç’do të bëni o të mjerë kur Ilir Meta do të dalë i pafajshëm!? Kosto të lartë do të paguajë populli- tha- paguan populli para hajdutit, jo hajduti para popullit’.

Këta të sotmit që i janë sulur SPAK-ut dhe vetë shtetit, këta janë ata ‘zogjtë e vegjël të fakultetit, po rriten për nesër. Nuk kemi për të shpëtuar prej tyre, nëse nuk sillemi si populli- me mençuri: Populli as i përfill, as i dëgjon, as i lexon. Analistët në vendin tonë mbijetojnë edhe qëndruar në ‘bregun e kundërt’ të popullit. Kjo është për t’u studiuar.

Por për t’u studiuar me këtë rast mbeten dy kolona të tjera:

E para, duhet zbatuar demokracia, me qëllim ajo të vendosë edhe median në karrigen e ligjit.

E dyta, kodi tradicional kombëtar:

Duan të thonë, pa edhe e thonë, se ‘lajmësi nuk ka faj’; pra as ai që mban anën kundër popullit- nuk paska faj. Jo, këta nuk janë lajmësa. Lajmësi zgjidhet mes njerëzve më të ndershëm.

Në kodet tona kombëtare këta janë quajtur ‘argatë të së keqes’, miku im, Fitim. Edhe në Kanunin e Lekës kështu quhen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat