KreuAktualitetPolitikaNATO shtyn samitin në Shqipëri/ Çfarë ndodhi që Tirana nuk do të...

NATO shtyn samitin në Shqipëri/ Çfarë ndodhi që Tirana nuk do të presë liderët në 2027?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Shqipëria nuk do të presë samitin e liderëve të NATO-s në vitin 2027, pavarësisht se ishte përcaktuar më herët si vendi organizator i këtij aktiviteti. Aleanca ka vendosur të reduktojë takimet e nivelit të lartë, në një kohë kur përballet me tensione të brendshme për shpenzimet e mbrojtjes, luftën në Ukrainë dhe përplasjet lidhur me Iranin.

Lajmi është konfirmuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për datën e samitit, por organizimi i tij në Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm duket i përjashtuar.

“Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti. Me siguri nuk do të mbahet në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, u shpreh Rama.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka relativizuar çështjen, duke theksuar se organizimi i samiteve varet nga nevojat e aleancës.

“Jemi fleksibël për samitet e NATO-s. I mbajmë samitet kur kemi nevojë për to”, deklaroi Rutte në një intervistë për Associated Press.

Sipas raportimit të AP, ndryshimi nuk lidhet vetëm me samitin e parashikuar në Shqipëri, por është pjesë e një riorganizimi më të gjerë të aktiviteteve të NATO-s. Edhe takimet ministrore po reduktohen. Ministrat e Mbrojtjes nuk zhvilluan takimin e zakonshëm në tetor, ndërsa për vitin 2027 nuk është planifikuar një takim i tillë në të njëjtën periudhë. Ndërkohë, ministrat e Jashtëm do të kenë vetëm një takim të planifikuar vitin e ardhshëm, nga dy që zhvilloheshin zakonisht.

Një nga çështjet që ka ngritur pikëpyetje për organizimin e samitit në Tiranë lidhet edhe me shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen. Shqipëria ishte përcaktuar në vitin 2025 si vendi pritës i samitit të vitit 2027, por emri i saj u hoq nga deklarata përfundimtare e samitit të korrikut.

Sipas raportimit, disa vende anëtare kanë shprehur rezerva për nivelin e financimit të mbrojtjes nga Shqipëria, duke e konsideruar të pamjaftueshëm për t’i besuar organizimin e aktivitetit më të rëndësishëm të aleancës. Qeveria shqiptare parashikohet të shpenzojë këtë vit 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Ndërkohë, objektivi i përcaktuar nga NATO parashikon që deri në vitin 2035 vendet anëtare të shpenzojnë 3.5% të PBB-së për nevojat bazë të mbrojtjes dhe 1.5% të tjera për infrastrukturën dhe investimet që lidhen me sigurinë.

Megjithatë, Shqipëria nuk është ndër vendet që mbeten më prapa në këtë drejtim. Sipas të dhënave të përmendura në raportim, Spanja, Belgjika dhe Sllovenia kanë nivele më të ulëta shpenzimesh për mbrojtjen.

Përveç çështjeve financiare, reduktimi i samiteve lidhet edhe me tensionet politike brenda aleancës, veçanërisht pas përplasjeve mes presidentit amerikan Donald Trump dhe disa aleatëve evropianë për luftën kundër Iranit dhe mbështetjen ndaj SHBA-së.

Samiti i fundit në Ankara u shoqërua me debate për Groenlandën, kërkesat e Trumpit ndaj aleatëve dhe nivelin e angazhimit të vendeve evropiane në çështjet e sigurisë.

Organizimi i këtyre takimeve kërkon gjithashtu shpenzime të konsiderueshme dhe masa të jashtëzakonshme sigurie. Samiti i vitit 2025 në Hagë kushtoi rreth 100 milionë dollarë, ndërsa përgatitjet kërkuan një vit të plotë.

Ekspertët e sigurisë argumentojnë se, pas përcaktimit të objektivave të reja për shpenzimet dhe kapacitetet ushtarake, një tjetër samit i liderëve mund të mos jetë i domosdoshëm në një periudhë kaq të afërt.

Kështu, Tirana duhet të presë të paktën deri në vitin 2028 për të pritur liderët e aleancës, nëse NATO vendos të organizojë një samit të ri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat