KreuAktualitetSocialeSpraj me piper ndaj një djali me autizëm dhe nënës së tij...

Spraj me piper ndaj një djali me autizëm dhe nënës së tij në protestë/ Organizatat e PAK: Të zbardhet ngjarja

Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së 23 korrikut para Parlamentit, ku, sipas pamjeve të publikuara, një nënë dhe djali i saj me autizëm u ekspozuan ndaj spërkatjes me spraj me piper.

Në një deklaratë publike, rrjeti shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen, duke theksuar se situata ka rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e nënës dhe fëmijës.

Organizatat i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të sqarojnë plotësisht rrethanat e incidentit dhe të garantojnë që në çdo ndërhyrje të respektohen të drejtat e njeriut, parimi i proporcionalitetit dhe mbrojtja e grupeve më të cenueshme.

Sipas deklaratës, personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht ata me autizëm ose me ndjeshmëri shqisore, mund të përjetojnë pasoja më të rënda fizike dhe emocionale nga përdorimi i mjeteve të tilla. Për këtë arsye, rrjeti kërkon që strukturat përgjegjëse për rendin dhe sigurinë të jenë të trajnuara për të identifikuar dhe mbrojtur personat me aftësi të kufizuara në situata të ngjashme, duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë shëndetin, sigurinë apo jetën e tyre.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se nëna dhe djali jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe pa akses në shërbimet e nevojshme.

Deklarata është firmosur nga Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe organizatat anëtare: Down Syndrome Albania, MEDPAK, Fondacioni “Së Bashku”, Club Kombëtar i Prindërve të Fëmijëve me CSA & P.A.K., Global Care Albania, ADRF, Ndihmoni Jetën, Qendra “Lumturo Dhimbjen” dhe Qendra “Edhe Unë Mundem”.

Deklarata e plotë:

Deklaratë publike mbi dhunën ndaj djalit me autizëm në protestën e 23 korrikut para Parlamentit nga Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara
Shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngjarjen e ndodhur gjatë protestës së sotme, ku një nënë dhe djali i saj me aftësi të kufizuara u ekspozuan siç kuptojme dhe nga video ndaj spërkatjes me spraj me piper dhe u vunë në një situatë që rrezikoi shëndetin dhe sigurinë e tyre.
U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sqarojnë plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe të garantojnë që në çdo ndërhyrje të respektohen të drejtat e njeriut, parimi i proporcionalitetit dhe mbrojtja e grupeve më të cenueshme.
Personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht ata me autizëm ose me ndjeshmëri shqisore, mund të përjetojnë pasoja shumë më të rënda fizike dhe emocionale nga përdorimi i mjeteve të tilla. Ky rast rikujton nevojën që strukturat përgjegjëse për rendin dhe sigurinë të jenë të trajnuara për të identifikuar dhe mbrojtur personat me aftësi të kufizuara në situata të tilla, duke marrë masa për të shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë shëndetin, sigurinë apo jetën e tyre.
Ndërkohë, kjo gjyshe dhe ky djalë jetim jetojnë në kushte mjerimi të varfërisë dhe pa akses në shërbimet e duhura.

Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara
Down Syndrome Albania
MEDPAK
Fondacioni “Së Bashku”
Club Kombëtar I Prindërve të Fëmijve me CSA &P.A.K.
Global Care Albania
ADRF
Ndihmoni Jeten
Qendra “Lumturo Dhimbjen”
Qendra “Edhe Une Mundem”

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat