KreuDrejtësiaGara për kryetarët e gjykatave mbetet pezull/ KLGJ kërkon prova për aftësitë...

Gara për kryetarët e gjykatave mbetet pezull/ KLGJ kërkon prova për aftësitë drejtuese të kandidatëve

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) zhvilloi këtë të premte mbledhjen e radhës plenare, ku ishte parashikuar shqyrtimi i projektvendimeve që lidhen me kandidaturat për pozicionet drejtuese në disa prej gjykatave të vendit.

Në rendin e ditës ishin përfshirë procedurat për verifikimin e plotësimit të kritereve të kandidimit dhe vijimin ose përjashtimin nga gara të kandidatëve për postet e kryetarëve të gjykatave të ndryshme.

Konkretisht, KLGJ kishte planifikuar të shqyrtonte kandidaturën e gjyqtares Ermira Dedja për pozicionin e kryetares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, të shpallur me vendimin nr. 159, datë 31 mars 2026.

Po ashtu, në mbledhje ishin parashikuar për shqyrtim kandidaturat e Engert Pëllumbit dhe Dhimitër Larës për postin e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe kandidatura e Erjon Çelës për pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në listën e kandidatëve që do t’i nënshtroheshin verifikimit ishte edhe Ramiz Lala, i cili kandidon për postin e kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të mos marrë një vendim përfundimtar për këto kandidatura në mbledhjen e sotme. Anëtarët e KLGJ-së kërkuan që kandidatët të paraqesin informacion shtesë lidhur me aftësitë e tyre drejtuese dhe menaxheriale, si dhe, nëse disponojnë, dokumentacionin dhe provat që mbështesin këto aftësi.

Për këtë arsye, KLGJ vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimeve për të gjithë kandidatët, duke lënë për një mbledhje të mëvonshme vlerësimin e plotësimit të kritereve ligjore dhe vijimin e procedurave për ngritjen e tyre në detyrë.

Vendimi i KLGJ-së shtyn përkohësisht procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të disa prej gjykatave më të rëndësishme në sistemin gjyqësor shqiptar, deri në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar nga kandidatët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat