back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 20 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“Paketa e Maleve”/ Qytetarët apo investitorët përfitojnë?

“Paketa e Maleve”/ Qytetarët apo investitorët përfitojnë?

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga një grup ministrash dhe drejtuesish politikë, zhvilloi një takim në Tiranë me përfaqësues të sektorit të agroturizmit, ku prezantoi nismën e re të qeverisë të quajtur “Paketa e Maleve”.

Në takim morën pjesë ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore Ervin Demo, ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, si dhe drejtuesja politike e qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu.

Sipas qeverisë, programi synon të nxisë zhvillimin e turizmit rural dhe investimet në zonat malore, duke adresuar një prej problemeve të hershme të pronësisë mbi tokën, të lidhura kryesisht me ligjin 7501.

Rama u shpreh se nisma ka lindur nga nevoja për t’i dhënë zgjidhje konflikteve të pronësisë që kanë penguar investimet prej vitesh në zonat rurale.

“Shumë vetë kanë para, por nuk kanë titullin e pronësisë. Me Paketën e Maleve synohet që të hapet rruga për investime,” deklaroi ai.

Sipas shpjegimit të kryeministrit, procedura do të nisë me aplikim pranë bashkisë, e cila do të publikojë kërkesën për 45 ditë. Nëse nuk ka kundërshti, ajo miratohet nga këshilli bashkiak dhe më pas investitori mund të zhvillojë projektin, ndërsa titulli i pronësisë jepet vetëm pas përfundimit të investimit.

Rama theksoi se kjo nuk është një skemë për privatizim territoresh publike apo përfitim të kompanive të mëdha, por një mekanizëm për të zgjidhur ngërçet e pronësisë dhe për të nxitur zhvillimin lokal.

“Qëllimi është të mbështeten ata që duan të ndërtojnë në tokat e tyre familjare dhe të zhvillojnë agroturizmin,” u shpreh ai.

Ai shtoi gjithashtu se çdo pretendim pronësie do të trajtohet nga shteti në rast konfliktesh, duke synuar shmangien e përplasjeve mes palëve.

Në fund të takimit, Rama u ndal edhe te rëndësia e sektorit të turizmit për ekonominë e vendit, duke theksuar se Shqipëria duhet të forcojë standardet e shërbimit dhe të ruajë çmime të arsyeshme për të tërhequr sa më shumë turistë.

“Turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe kërkon kulturë të lartë shërbimi,” tha ai.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat