Një ditë pas zjarrit të madh që përfshiu një ndërtesë 12-katëshe pranë Farmacia 10 në Tirana, policia ka arrestuar administratorin e pallatit dhe menaxheren e supermarketit që ndodhej në katin përdhes, nga ku dyshohet se kanë nisur flakët.
Sipas burimeve hetimore, të dy personat janë vënë në pranga pasi dyshohet se zjarri mund të ketë nisur nga ambientet e supermarketit, ndërsa po hetohen rrethanat e plota të ngjarjes.
Në lidhje me incidentin, është shpallur në kërkim edhe ndërtuesi i kompleksit, me inicialet A.L., i dyshuar për përgjegjësi në lidhje me ndërtimin dhe kushtet e sigurisë së objektit.
Shkaku zyrtar i zjarrit ende nuk është përcaktuar, por hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë edhe mundësinë e ndezjes aksidentale nga djegia e disa kartonëve pranë supermarketit.
Ndërkohë, dyshohet se materialet e përdorura në fasadën e ndërtesës mund të kenë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve, duke e bërë zjarrin më të vështirë për t’u kontrolluar.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë e ngjarjes.



