Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një skemë të re mashtrimi në internet, ku persona të paidentifikuar po përdorin faqe të rreme, të ngjashme me ato zyrtare, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar nga qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, këto faqe shpërndahen përmes SMS-ve dhe email-eve të maskuara, duke u paraqitur si njoftime zyrtare për pagesa gjobash, kryesisht për shkelje të qarkullimit rrugor, si tejkalimi i shpejtësisë.
Autorët e kësaj skeme, sipas policisë, kanë përdorur teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët dhe për t’i orientuar drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare.
Qëllimi i kësaj veprimtarie është vjedhja e të dhënave bankare dhe më pas përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve.
Policia thekson se këto mesazhe nuk janë dërguar nga asnjë institucion shtetëror dhe u bën thirrje qytetarëve për kujdes maksimal.
Thirrja e Policisë për qytetarët
Autoritetet këshillojnë qytetarët që të mos klikojnë në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS-ve apo platformave të tjera, si dhe të mos vendosin të dhëna bankare në faqe të pa verifikuara.
Gjithashtu, çdo gjobë mund të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare, përfshirë portalin e-Albania.
Në rast se qytetarët kanë vendosur të dhëna personale në faqe të dyshimta, u rekomandohet të kontaktojnë menjëherë bankën për bllokimin e kartës ose llogarisë, si dhe të bëjnë denoncim pranë Policisë së Shtetit.
Strukturat ligjzbatuese po vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të kësaj skeme mashtrimi online.



