Rritja e çmimit të naftës si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme është kthyer në një nga temat kryesore në vend. Që prej nisjes së konfliktit më 28 shkurt, çmimi i naftës në Shqipëri është rritur me rreth 40 deri në 50 lekë për litër.
Megjithatë, ndryshe nga sa pritej, kjo rritje nuk ka ndikuar në uljen e konsumit. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë muajit mars janë importuar 56,903 tonë karburant, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.
Edhe pse çmimi i naftës ka arritur në rreth 215 lekë për litër, nga 176 lekë që ishte para nisjes së konfliktit, konsumi gjatë marsit ka shënuar rritje. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë importuar afro 2 mijë tonë më shumë karburant.
Importi i karburantit në mars (në ton)
- Viti 2025: 54,883 tonë
- Viti 2026: 56,903 tonë
Ndërkohë, për periudhën tremujore janar–mars, janë importuar gjithsej 162 mijë tonë karburant, nga 165 mijë tonë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke treguar një rënie të lehtë në total.
Në të njëjtën kohë, Bordi i Transparencës ka njoftuar çmimet e reja të hidrokarbureve. Pavarësisht uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, bordi vendosi rritje të mëtejshme në tregun vendas, me 6 lekë për naftën dhe 3 lekë për benzinën.
Zhvillimet tregojnë se, pavarësisht kostove në rritje, kërkesa për karburant në vend mbetet e lartë.



