Vetëm pak kohë pas emërimit të shefit të ri të Policisë Rrugore në Durrës, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në qytet, duke rikthyer në vëmendje problematikën e drejtuesve të automjeteve në gjendje të dehur.
Në pranga është vënë 44-vjeçari Rezart Abazaj, i cili ditën e djeshme, ndërsa drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ka përplasur makinën e patrullës së policisë që po e ndiqte për ta ndaluar.
Sipas raportimeve paraprake, policia kishte konstatuar Abazajn duke kryer manovra të rrezikshme në zonën e ish-kënetës në Durrës. Efektivët i janë vënë në ndjekje për ta neutralizuar, por gjatë tentativës për ndalim, 44-vjeçari ka goditur automjetin e policisë.
Pas incidentit, ai është arrestuar nga uniformat blu dhe i është nënshtruar testit të alkoolit, ku rezultoi me nivel alkooli 1.4 mg/l, shumë mbi normat e lejuara.
Burime bëjnë me dije se Rezart Abazaj nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi edhe më herët është arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, pasi ka ndodhur pikërisht në zonën e ish-kënetës, aty ku më 3 maj humbën jetën tragjikisht dy të miturit Kles Nikolli dhe Enea Muçaj. Ata u përplasën për vdekje nga Nikoll Radaçi, i cili po ashtu drejtonte mjetin në gjendje të alkoolizuar.



