Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka finalizuar një operacion të gjerë në orët e para të mëngjesit, duke goditur dy grupe të strukturuara kriminale të dyshuara për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të shumave të mëdha parash.
Në total janë lëshuar 20 masa sigurie, nga të cilat 15 “arrest me burg” dhe 5 “arrest shtëpie”, ndërsa mes të dyshuarve përfshihen biznesmenë dhe persona që, sipas hetimeve, dyshohet se kanë drejtuar dhe financuar rrjetet kriminale.
Sipas dosjes hetimore, në krye të dy organizatave kriminale dyshohet se qëndrojnë Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, të cilët akuzohen për organizimin dhe koordinimin e trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Hetimet tregojnë se grupet kanë operuar me ndarje të qartë rolesh, duke përfshirë prodhimin, transportin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa shtete të Bashkimit Evropian.
Droga dyshohet se sigurohej nga vende të Amerikës Latine si Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Surinami, Paraguai, Porto Riko dhe Brazili, ndërsa transporti drejt Europës realizohej kryesisht përmes porteve të Anversës në Belgjikë dhe Roterdamit në Holandë. Sipas hetimeve, në disa raste trafikimi është kryer përmes kompanive të transportit detar të kamufluara si biznese të ligjshme me ngarkesa si qymyr druri, pasta apo produkte ushqimore, duke përdorur kontejnerë të modifikuar për fshehjen e lëndëve narkotike.
Në rrjetin e dyshuar përfshihen edhe një numër i madh personash, mes tyre Ardian Zykaj, Adrian Rama, Elton Memeti, Orgest Birçaj, Orest Sota dhe Dritan Aga. Sipas hetimeve, një pjesë e tyre kanë pasur role në logjistikë, transport dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në tregjet europiane.
Në një tjetër segment të hetimit, grupi i dytë kriminal dyshohet se është marrë me pastrimin e parave përmes strukturave të biznesit. Mes emrave të përmendur në dosje janë Abedin Koçeku, Ervin Koçeku, Astrit Vladi, Kastriot Vladi, Gëzim Islami dhe Ilir Shtufi, të cilët dyshohet se kanë përdorur kompani ndërtimi dhe subjekte tregtare për të legalizuar të ardhurat kriminale.
Sipas SPAK, në këtë skemë përmenden edhe kompani si “Nova Construction 2012”, sot “Nova Group”, si dhe “LTD CO” sh.p.k. dhe “Erald-G” sh.p.k., të cilat dyshohet se janë përdorur për qarkullimin e parave të pista.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar edhe pasuri të konsiderueshme, përfshirë dhjetëra llogari bankare, vila luksoze dhe asete me vlerë miliona euro. Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me transaksionet e dyshuara në zonën e Zvërnecit, ku po verifikohen blerje dhe shitje toke të dyshuara si pjesë e skemës së pastrimit të parave.
Sipas dosjes, është vendosur gjithashtu sekuestrim preventiv mbi rreth 128 milionë euro, të lidhura me transaksione të dyshuara përmes llogarive të një notereje, të cilat dyshohet se janë përdorur në marrëveshje për shitblerje pasurish të paluajtshme në zonën bregdetare.
SPAK ka lëshuar masa sigurie për një listë të gjatë personash të përfshirë në hetim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë rrjetin e dyshuar dhe lidhjet mes grupeve kriminale dhe strukturave të biznesit në Shqipëri dhe jashtë saj.
SPAK ka lëshuar masa sigurie për një listë të gjatë personash të dyshuar:
Ardian Zykaj
Alfredo Hamzai
Adrian Rama
Erjon Rama
Abedin Koçeku
Ervin Koçeku
Artur alias Luciano Koçeku
Dritan Aga
Gëzim Islami
Orest Sota
Ilir Shtufi
Artur Shehu
Edmond Jaupi
Orgest Birçaj
Leonard Bishaj
Arben Ismaili
Astrit Vladi
Kastriot Vladi
Besnik Myftari
Elton Memeti.



