Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të përballet me një tjetër akuzë lidhur me procedurat e tenderimit, këtë herë për gjashtë lote të tjera të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas raportimeve mediatike, Prokuroria e Posaçme e ka thirrur Ballukun këtë të premte, në orën 10:00, së bashku me avokatin e saj mbrojtës, për t’i komunikuar zyrtarisht marrjen si e pandehur për këto procedura.
Më herët, Balluku ishte marrë e pandehur për lotin 4 të Unazës së Madhe dhe për tenderin e Tunelit të Llogarasë. Gjatë paraqitjes në SPAK, pritet t’i komunikohet gjithashtu edhe zgjatja me tre muaj e afatit të hetimeve.
Zgjatja e hetimeve vjen pas zhvillimeve të fundit në dosje, ku përfshihen edhe ish-vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Ndërkohë, SPAK po vijon hetimet edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, të lidhura me dy tendera me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluar në kohën kur Balluku drejtonte Albcontrol. Sipas akuzës, procedurat janë kryer në kundërshtim me ligjin në favor të një kompanie ndërtimi, ndërsa dyshohet se si përfitim i paligjshëm është marrë një vilë në Dhërmi me vlerë rreth 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.



