back to top
24.2 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëBE ngre dyshime për qendrat e emigrantëve Itali–Shqipëri në Gjadër

BE ngre dyshime për qendrat e emigrantëve Itali–Shqipëri në Gjadër

Qendrat e pritjes së emigrantëve të ngritura nga Italia në Shqipëri, në Gjadër, janë vendosur në vëmendjen e institucioneve europiane, pas një opinioni të Avokates së Përgjithshme të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, Laila Medina, e cila ka ngritur dyshime mbi përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së për mbrojtjen e azilkërkuesve.

Në opinionin e saj juridik, Medina thekson se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë të drejtë të krijojnë qendra pritjeje apo ndalimi për emigrantët edhe jashtë territorit të BE-së, përfshirë vende si Shqipëria, pasi legjislacioni europian nuk e kufizon vendndodhjen gjeografike të këtyre strukturave. Megjithatë, ajo nënvizon se këto qendra duhet të garantojnë plotësisht standardet dhe të drejtat e përcaktuara nga e drejta e Bashkimit Evropian për azilin.

Sipas saj, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë, si edhe kuadri ligjor italian që rregullon funksionimin e këtyre qendrave, nuk duket se përmban garanci të mjaftueshme dhe të qarta për respektimin e të drejtave themelore të emigrantëve. Ndër shqetësimet kryesore përmenden e drejta e mbrojtjes ligjore, respektimi i jetës private dhe familjare, si dhe lirimi i menjëhershëm i personave sapo përfundon afati ligjor i ndalimit.

Edhe pse opinioni i Avokates së Përgjithshme nuk është detyrues për gjykatën, ai konsiderohet një tregues i rëndësishëm për vendimin përfundimtar që pritet të japë në muajt në vijim Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në Luksemburg.

Nëse gjykata ndjek të njëjtën linjë argumentimi, vendimi mund të ketë ndikim jo vetëm mbi marrëveshjen Itali–Shqipëri, por edhe mbi projekte të ngjashme që disa shtete të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë për menaxhimin e migracionit jashtë kufijve të unionit.

Marrëveshja mes qeverisë së Italisë së drejtuar nga Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama është konsideruar si një model pilot për politikat e reja europiane të migracionit dhe po ndiqet me interes nga disa vende të tjera të BE-së.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat