back to top
24.2 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaLobim për heqjen e “non gratës”?/ Berisha mohon shifrat

Lobim për heqjen e “non gratës”?/ Berisha mohon shifrat

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me vendimin e autoriteteve amerikane për lejimin e hyrjes së tij në Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se ky është një korrigjim i një padrejtësie të mëparshme dhe jo rezultat i një kërkese personale.

Gjatë një konference për mediat, Berisha falënderoi administratën e presidentit Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, duke pretenduar se vendimi i mëparshëm ndaj tij ishte bazuar në atë që ai e cilësoi si “lobim korruptiv” të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Berishës, Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se ai dhe familjarët e tij nuk ndodhen më në listën e personave të cilëve u ndalohet hyrja në territorin amerikan. Ai theksoi se nuk e ka konsideruar kurrë veten “non grata”, duke argumentuar se ky term lidhet me Konventën e Vjenës, ndërsa rasti i tij ka të bëjë me një dispozitë ligjore të Kongresit amerikan për ndalimin e hyrjes në SHBA.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi rolin e mundshëm të lobimit në këtë proces, Berisha deklaroi se nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për arsye shëndetësore apo personale dhe se pas ndryshimit të administratës amerikane iu drejtua institucioneve përkatëse për shqyrtimin e çështjes.

“Kam shkuar në gjykatë dhe jam drejtuar instancave shtetërore pas ndryshimit të administratës. Nuk u jam drejtuar para ndryshimit të administratës, ndonëse njihja persona në atë administratë”, tha ai.

I pyetur nëse lejimi i hyrjes në SHBA ishte rezultat i lobimit, Berisha u përgjigj se vendimi është marrë në përputhje me ligjet amerikane dhe se asnjë përpjekje lobuese nuk mund të ketë sukses nëse autoritetet amerikane nuk e konsiderojnë të përshtatshme.

Në fund të deklaratës së tij, kreu i PD-së falënderoi familjen, bashkëpunëtorët, anëtarët e Partisë Demokratike dhe mbështetësit e tij për solidaritetin e treguar gjatë kësaj periudhe. Ai vlerësoi gjithashtu rezultatin elektoral të PD-së dhe bëri thirrje për vazhdimin e betejës politike për, sipas tij, rikthimin e votës së lirë dhe ardhjen e opozitës në pushtet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat