Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Stuhia e mbrëmshme ka shkaktuar dëmtime të reja në Spitalin e Pukës, vetëm një ditë pasi ishte ndërhyrë për riparimin e çatisë së urës lidhëse mes Urgjencës dhe godinës kryesore të spitalit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërhyrja e kryer gjatë ditës së djeshme për zëvendësimin e çatisë nuk ka mundur t’i rezistojë reshjeve intensive gjatë natës, duke sjellë dëmtime të tjera në të njëjtën strukturë.
Ministria bën me dije se Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh) po ndjek situatën dhe ka marrë masat për riparimin e problematikës.
Pavarësisht dëmtimeve, autoritetet sigurojnë se Spitali Bashkiak i Pukës vijon punën normalisht dhe se shërbimet shëndetësore nuk janë ndërprerë.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse ndërhyrja e radhës do të zgjidhë përfundimisht problemin e çatisë, e cila është dëmtuar sërish nga moti i keq, vetëm pak orë pas riparimit.



