Ka hyrë në ditën e gjashtë protesta e qytetarëve kundër projektit të diskutuar për zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ndërsa qindra protestues vijojnë tubimin para Kryeministrisë duke kundërshtuar zhvillimet e propozuara për zonën dhe duke kërkuar largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit të sotëm, protestuesit kanë reaguar edhe ndaj deklaratave të fundit politike lidhur me organizimin dhe natyrën e protestës, duke kundërshtuar etiketimet që, sipas tyre, janë përdorur për të delegjitimuar lëvizjen qytetare.
Një prej protestueseve deklaroi se pjesëmarrësit në protestë janë përballur me akuza dhe etiketime të ndryshme gjatë ditëve të fundit.
“Në fillim na thanë se jemi grekë, pastaj na thanë se jemi rusë, ndërsa sot kemi dalë edhe iranianë. Pushteti që i ka ardhur fundi nuk e kupton se këtu ka shqiptarë të mirë, shqiptarë të lirë që e duan Shqipërinë vetëm për shqiptarët”, u shpreh ajo.
Një tjetër protestues tha se lëvizja nuk kufizohet vetëm te kundërshtimi i projektit për Zvërnecin dhe Nartën, por sipas tij, synon një ndryshim më të gjerë politik.
“Shoh shumë njerëz që flasin me apo pa dëshirë e çojnë gjithë interesin te Narta, Zvërneci. Nuk jemi vetëm për Zvërnecin, atë do e marrim pasi të çlirojmë Shqipërinë nga këto dy persona. Rama në burg, Berisha në burg”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, protestuesi u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën, ndërsa kërkoi gjithashtu që asnjë forcë politike të mos përvetësojë kauzën e tubimit.
“Mos lejoni asnjë parti të marrë kreditet e protestës”, shtoi ai.
Protesta kundër projektit të diskutuar për Zvërnecin vijon prej gjashtë ditësh dhe është shoqëruar me debate të forta politike, akuza reciproke dhe reagime të shumta nga qeveria, opozita, aktivistët mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkojnë më shumë transparencë dhe tërheqje nga planet që prekin zonën e mbrojtur.



