back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 3 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetZgjedhjet e 11 majit/ Berisha mbledh deputetët, jep udhëzime për diasporën

Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha mbledh deputetët, jep udhëzime për diasporën

Në takimin me grupin parlamentar, kreu i PD-së, Sali Berisha ka ndarë detyrat e deputetëve për zgjedhjet e 11 majit.

“Ne kemi ngarkuar si koordinatore kombëtare, Jozefina Topallin. Kemi ngarkuar dhe një grup që ta ndihmojë atë për koordinim zonjën Topalli. Por këto janë shumë të pamjaftueshme.

Grupi parlamentar, çdo deputet është i ftuar të koordinojë me qendrën këtu, çdo takim të mundshëm që mund të organizojë me emigracionin. Ne nuk i bazojmë takimet në salla të mëdha dhe luksoze se janë të kushtueshme. Ne matemi modestish dhe nuk duam ti rëndojmë as ata që të paguajnë paratë e buxhetit që përdor Edi Rama.

Kështu që ne do të bazojmë fushatën tonë në qindra e qindra takime ku secili prej jush aty ku ka lidhjet dhe mundësitë. Nuk ka, nuk ka, nuk do të thotë asgjë.

Por ne duhet ti qëmtojmë, ti gjejmë dhe gjatë kësaj periudhe të përparësojmë këto takime”, ka thënë Berisha.

Sipas Berishës, ka një urrejtje të madhe ndaj Edi Ramës dhe qeverisë dhe kjo është e faktuar tashmë.

“Së dyti, unë dhe në Berat e shtrova dhe ju duhet ta shtroni me çdo qytetar, me çdo mbështetës tonin, me çdo anëtar tonin. Secili duhet të marrë përsipër të paktën të trefishojë votën e tij, edhe me dy vota të tjera nga diaspora.

Ju garantoj se sa jemi këtu në sallë, 97 përqind e jona kanë të paktën 3 deri në 10 persona nga rrethi i vet, dhe kjo do të jetë një gjë shumë pozitive. Por nëse e bëjmë vetëm ne, kjo ndonjë gjë të madhe nuk sjell. Por nëse bindim çdo demokrat e demokrate, mbështetëse e mbështetës ta bëjë këtë, kjo sjell 2, 3 fishimin elektoratit tonë.

Ka një urrejtje të madhe ndaj Edi Ramës dhe qeverisë. Kjo është e faktuar tashmë. Ka një luftë brenda llojit ‘të shpëtojë ai që të mundet’. Janë kthyer në një lukuni ujqërish që duan të shqyejnë njëri-tjetrin për krimet që kanë kryer, së bashku apo veçmas.

Këto janë avantazhet tona, që ti shpjegojmë, paraqesim alternativën dhe shansin historik të çdo shqiptari që të ndihmojë vendin e tij me 11 maj.

Kështu që do bëni edhe me grupet sipas mundësive që keni, të organizohen grupe deputetësh, 4-5-6 mund të shkojnë  në SHBA, vetëkuptohet me shpenzime personale, se ky është buxheti. Të tjerë mund të shkojnë në Gjermani, Greqi, Itali dhe kudo ku keni lidhjet më të efektshme. Përdorni klubet, lokalet e shqiptarëve. Përdoren siç e bënë ata, sallë shkolle në Britaninë e Madhe, përdoren gjëra me çmime të përballueshme.

Mendoj se kjo fushatë duhet të përfshijë të gjithë botë, aty ku kemi komunitete që njohim më shumë. Në vendet nordike, kudo. Në Australi, është një komunitet shqiptar i jashtëzakonshëm i organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Kanë edhe kryeministrin me origjinë shqiptare tani. E kanë.

Them që ne të bëjmë gjithçka dhe të përgatisim në këtë mënyrë, fitoren e thellë të opozitës shqiptare. Të PD-së dhe aleatëve të saj.

Aleatët  e PD, edhe ata të përfshihen në këto grupe sipas njohjeve dhe mundësive.

Në zonat elektorale çdo eksponent, mbështetës tonin, që ju e dini se ka lidhje të fuqishme në këtë apo në këtë qytet jashtë shtetit me shqiptarë, në këtë apo atë vend, edhe atij do i bëni thirrje vullnetarisht të organizohet dhe të shkojë, thirrje nxitje në diasporë.

Ne kemi krijuar një uebsite, ka filluar të funksionojë edhe ajo si nënfaqe e PD”, është shprehur ai.

Ndër të tjera Berisha ka deklaruar se mbi 70 e shqiptarë që votojnë nga jashtë janë antiqeveri, kundër narkodiktaturës

“Pra në një anë është pesha e barabartë që ka elektorati jashtë Shqipërisë, me elektoratin në Shqipëri. Nga ana tjetër janë datat që shkurtojnë shumë afatin e regjistrimit të këtij elektorati në zgjedhje. Së fundmi janë edhe përpjekjet tona të cilat gjer tani janë modeste, nuk janë në atë nivel që kërkohet.

Por për ti vënë pikat mbi ‘i’ elektorati jashtë vendit është të paktën në masën 70 përqind për të mos thënë më shumë, është antiqeveri, antimafia, është kundër narkodiktaturës, kundër narkoshtetit. Pa asnjë lloj mëdyshje.

Ju e keni parë se si e braktisën të deleguarin e tij. Shkon në sallë dhe vë 1 mijë flamuj, dhe detyrohen të lënë flamujt në sallë, dhe të shkojnë të zënë një sallë tjetër me disa dhjetëra vetë se nuk i shkojnë. Në meritën më të madhe, në nderin e tyre, kemi të bëjmë me figura të ndryshkura dhe të diskredituara në shkallë ekstreme para shqiptarëve.

Mos harroni se qindra mijëra prej tyre e kanë të qartë se kanë marrë rrugët e dheut për shkak të tyre, për shkak të vjedhjeve të tyre.

Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë, i një vendi të lidhur me BE-në që shqiptarët i bëjnë protesta tek takimi dhe mblidhen më shumë jashtë se brenda. Nuk ndodh. Protestat u organizohen vetëm diktatorëve dhe këtij i janë bërë të zakonshme.

Pse po i them këto unë. Po i them këto se potenciali ynë është i jashtëzakonshëm në diasporë dhe emigracion. I them këto se, votimi me sistemin e përcaktuar është realisht mundësia e vetme e tyre për të ushtruar të drejtën kushtetuese. Se për të ardhur në Shqipëri mund të vijnë disa qindra, disa mijëra, por ata janë mbi 1 milionë e gjysëm”, ka thënë Berisha.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat