Policia ka proceduar penalisht 15 protestues për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet dhe dy aparate celularë.
Sipas njoftimit të Policisë, në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me tubimin e zhvilluar në Tiranë, strukturat e Policisë së Tiranës proceduan penalisht 15 shtetas.
Nga veprimet hetimore rezultoi se tubimi, i njoftuar për t’u zhvilluar në intervalin kohor nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vijoi në disa akse rrugore të kryeqytetit, konkretisht në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllok dhe segmente të Unazës, ku u bllokua qarkullimi i automjeteve, në tejkalim të orarit dhe perimetrit të lëvizjes të njoftuar zyrtarisht.
Në kuadër të hetimeve, Policia sekuestroi një automjet dhe dy aparate celularë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



