Sot, në Ditën Kombëtare të Rinisë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përkujtoi lëvizjen studentore antikomuniste të dhjetorit ’90, që shënoi fillimin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.
Në një mesazh të posaçëm, Presidenti Begaj nderon të gjithë të rinjtë që 34 vjet më parë u ngritën kundër regjimit diktatorial dhe frymëzuan lëvizjen popullore, e cila çoi në rrëzimin e komunizmit.
Presidenti Begaj vlerëson guximin e atij brezi studentësh me vizion Perëndimor, që kërkonin liri e demokraci, ndërsa shprehet se “sot festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”.
“Sot, – shkruan Presidenti i Republikës, – të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Mesazhi i plotë i Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj:
“34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
Lëvizja popullore, që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët. Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë.
Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Nder përjetë!”