Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin e mirë se vendi ynë është kandiduar si vend pritës i forumit botëror, World Law Congress.
Në fjalën e tij nga aktiviteti i organizuar për të prezantuar platformën “Albania “Transparent Albania”, kreu i qeverisë u shpreh se kandidimi lidhet me imazhin e ri që Shqipëria ka në botë, si dhe vlerësimin e bërë në vendin tonë gjatë dekadës së fundit.
“Më lejoni të ndaj një lajm shumë të mirë që kemi marrë, që Shqipëria është kandiduar për të qenë vendi mikëpritës i World Law Congress, forum botëror me reputacion të jashtëzakonshëm. Ku zgjedhja e vendit mikpritës është padiskutim jo thjesht pjesë e nevojë për të pasur një infrastrukturë mikpritje të denjë, por lidhet edhe me çfarë vendim mikpritës përfaqëson.
Dhe zgjedhja e Shqipërisë si një ndër kandidatët për të marrë mikpritjen lidhet me imazhin tërësisht të ri të Shqipërisë dhe vlerësimin botërisht konsensual të gjithçkaje që Shqipëria ka bërë këtë dekadë në drejtim të shtetit të së drejtës. Jam shpresëplotë se nuk jemi thjesht vend kandidat, por do të jemi vendi mikpritës i World Law Congress vitin e ardhshëm”, tha Rama.