Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në përfundim të mbledhjes së qeverisë, bëri me dije se janë shtyrë afatet për shqyrtimin, vlerësimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve.
Afati për shqyrtim është shtyrë deri në dhjetor të vitit 2027, ndërsa afati për kompesim deri në dhjetor të vitit 2028.
Manja: Kemi dy lajme të mira për ish-pronarët, ka dy ndryshime për shtyrjen e afatit për shqyrtimin, vlerësimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Afati mbaronte në dhjetor të vitit 2024, por ne kemi vendosur që të ndryshojmë ligjin nr,133 të vitit 2015 duke e çuar afatin për shqyrtimin deri në dhjetor 2027, ndërsa afati i kompensimit në vlerë të ish-pronarëve do të shtyhet deri në dhjetor 2028.
Janë dy ndryshime shumë të rëndësishme sepse i jep mundësinë Agjencisë së Trajtimit të Pronave të shprehet për shqyrtimin dhe vlerësimin e rreth 7110 dosjeve të pa trajtuara të ish-pronarëve. Ndërkohë deri në fund të viti 2028 i jep mundësinë një numri të konsiderueshëm të ish-pronarëve të kompensohen në vlerë monetare. Po ashtu kemi kaluar një vendim që ka të bëjë me komenpsiomin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e palegalizuara.