Me argumentin se ata përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Ceke, Rumania, Moldova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.
Pas kësaj ngjarje ka reaguar Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka thirrur sot, ambasadorin i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević.
Gjatë takimit, iu transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po merrnin pjesë në një seminar në Beograd.
“Këtë veprim nuk e konsiderojmë në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.
MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra.
U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada shqiptare në Beograd”, njofton Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.