KreuAktualitetEkonomiaLufta për Aeroportin e Vlorës/ Pacolli-Ademit: Ku janë provat për Delphos-in dhe...

Lufta për Aeroportin e Vlorës/ Pacolli-Ademit: Ku janë provat për Delphos-in dhe “misionarët rusë”?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Përplasja mes biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi për Aeroportin e Vlorës vijon me akuza dhe kundërakuza, ndërsa në qendër të debatit mbetet edhe çështja e transferimit të 47% të aksioneve të projektit nga kompania MABCO te 2A Group.

Pas reagimit të kompanisë 2A Group, e cila kundërshtoi pretendimet për përfshirjen e biznesmenit kazak Timur Kulibajev në pronësinë e aeroportit, ka reaguar Pacolli. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka akuzuar Ademin dhe Valon Llukën për mashtrime, shpifje dhe veprime që, sipas tij, synojnë të pengojnë përfundimin e projektit.

Pacolli pretendon se përpjekjet për transferimin e kuotave të MABCO-s, në prill të vitit 2025, kanë qenë të kundërligjshme. Ai i referohet gjithashtu vendimeve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë, të cilat, sipas tij, kanë mbështetur kundërshtimet e paraqitura nga pala e tij.

“Prej më shumë se një viti, ne përballemi me mashtrimet, gënjeshtrat, kërcënimet dhe shpifjet e Valon Ademit. Ai brutalisht u ndihmua dhe nga arkitekti i mashtrimeve dhe hajnive Valon Lluka”, shkruan Pacolli.

Biznesmeni pretendon se edhe ndërhyrjet e fundit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), lidhur me regjistrimin e kuotave, janë korrigjuar pas denoncimeve të tij. Ai kërkon që rrethanat e këtyre veprimeve të hetohen plotësisht.

Pacolli kërkon prova për pretendimet mbi Delphos-in dhe “misionarët rusë”

Në reagimin e tij, Pacolli rikthehet te pretendimet e mëparshme për kompaninë Delphos dhe për të ashtuquajturit “misionarë rusë”, të cilët, sipas akuzave që ai ia atribuon Ademit, do të kishin lidhje me projektin e aeroportit.

Ai kërkon që këto pretendime të mbështeten me dokumente dhe prova, duke ngritur pikëpyetje edhe për përfshirjen e emrit të Timur Kulibajevit në debatin e fundit.

“Ku mbeti premtimi i tij se do të paraqiste dokumente mbi Delphos-in? Ku janë ato dokumente? Ku janë provat për të ashtuquajturit ‘misionarë rusë’, të cilët, sipas pretendimeve të tij, qëndronin pas Aeroportit të Vlorës?”, pyet Pacolli.

Ai ironizon përfshirjen e emrave të tjerë në debat, duke e cilësuar këtë mënyrë komunikimi si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga çështja që, sipas tij, kërkon përgjigje: baza ligjore e transferimit dhe regjistrimit të kuotave të MABCO-s në QKB.

“Valon Ademi gabon nëse mendon se me akuza dhe kërcënime të reja dhe me përfshirjen e emrave të tjerë mund ta largojë vëmendjen nga kjo çështje”, deklaron ai.

QKB anuloi regjistrimin e transferimit të 47% të aksioneve

Përplasja mes palëve vjen pas zhvillimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, e cila ka anuluar regjistrimin e transferimit të 47% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës nga MABCO te 2A Group.

Çështja e pronësisë dhe e regjistrimit të kuotave është kthyer në një nga pikat kryesore të konfliktit mes palëve, ndërsa secila prej tyre ka paraqitur pretendimet e veta lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të kryera.

Pacolli deklaron se ka besim te Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe se pret që hetimet të zbardhin të gjitha veprimet dhe përgjegjësitë që lidhen me çështjen. Ai thotë se, për shkak të hetimeve në vijim dhe këshillave të përfaqësuesve të tij ligjorë, në këtë fazë do të kufizohet në deklarimet publike.

Në fund të reagimit, biznesmeni shprehet se është i gatshëm të përfundojë Aeroportin e Vlorës sapo, sipas tij, të rivendoset ligjshmëria dhe t’i krijohen kushtet për vazhdimin e punimeve.

“Shqiptarët meritojnë Aeroportin e Vlorës. Ne jemi gati ta përfundojmë atë sapo të rivendoset plotësisht ligjshmëria dhe të na mundësohet vazhdimi i punës”, përfundon Pacolli.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat