Nga Kristjan Zoto
Këtë javë, mes qindra sulmeve të organizuara ndaj Lëvizja BASHKË dhe Arlind Qorit, ndodhi edhe diçka e habitshme. Dy figura publike, të lidhura me pushtetin dhe që historikisht nuk kanë kursyer kritika apo sulme ndaj nesh, papritur vendosën të shprehen pozitivisht. Ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe, i njohur për fjalorin e tij banal kundër nesh, dhe gazetari i pushtetit Sokol Balla, një emër që shpesh ka treguar bezdisje nga Lëvizja BASHKË, këtë herë thanë fjalë pozitive.
Një çudi e madhe, për t’u thënë e pashpjegueshme. Ç’po ndodh?! Pse një e papritur e tillë?!
E vetmja mënyrë për ta kuptuar është duke e parë përmes një analogjie që Arlindi e përmendi në një nga daljet televizive: përqafimi i gjarpërit. Një taktikë e vjetër, e përsosur nga ata që mbajnë pushtetin. Fillimisht të afrohen, të ofrojnë një fjalë të mirë, një dorë të zgjatur miqësie. Por ky përqafim nuk është i sinqertë. Synimi nuk është afrimi, por kapja. Dhe pastaj, ngadalë por me vendosmëri, përqafimi i kthehet një shtrëngim, derisa të mbysin.
Kjo duket qartazi si një teknikë e radhës e Partisë Socialiste dhe PR-it të saj. Një përpjekje për të ndalur kritikat tona, për të na zbutur, për të na larguar nga thënia e të vërtetës. Por ky përqafim është i kotë, nuk do të funksionojë!
Për ne, asgjë nuk ndryshon. Vazhdon të mbetet një rrugaç ai që bën si rrugaç dhe një i korruptuar ai që është pasuruar duke i shërbyer pushtetit. E vërteta nuk zbutet, dhe as nuk mbytet nga përqafime gjarpërinjsh.
Lëvizja BASHKË mbetet aty ku ishte: në anën e njerëzve, duke thënë gjithmonë atë që të tjerët duan të heshtin!