back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 18 Maj, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëLufta SHBA-Izrael-Iran i kushton botës 25 miliardë dollarë

Lufta SHBA-Izrael-Iran i kushton botës 25 miliardë dollarë

Lufta mes Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit po shkakton pasoja të rënda në ekonominë globale, ndërsa kompanitë në mbarë botën kanë humbur deri tani të paktën 25 miliardë dollarë, sipas një analize të publikuar nga Reuters.

Analiza, e bazuar në deklaratat e qindra korporatave në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, tregon se konflikti ka nisur të godasë rëndë sektorë të ndryshëm të ekonomisë globale, nga industria prodhuese dhe transporti, deri tek energjia dhe zinxhirët e furnizimit.

Sipas raportit, bizneset po përballen me rritje të fortë të çmimeve të energjisë, ndërprerje të rrugëve tregtare dhe probleme serioze në furnizimin me lëndë të para, si pasojë e tensioneve në rajon dhe kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë botërore të naftës dhe mallrave.

Reuters bën të ditur se të paktën 279 kompani e kanë përmendur drejtpërdrejt luftën si arsye për marrjen e masave emergjente financiare dhe operative.

Shumë kompani kanë nisur të rrisin çmimet e produkteve për konsumatorët, ndërsa të tjera kanë reduktuar prodhimin për të përballuar kostot në rritje.

Në disa raste, korporatat kanë pezulluar pagesën e dividentëve, kanë ndërprerë programet e riblerjes së aksioneve, kanë shkurtuar vende pune ose kanë aplikuar tarifa shtesë për karburantin dhe transportin.

Disa prej tyre kanë kërkuar edhe ndihmë emergjente nga qeveritë për të përballuar krizën.

Kompania Whirlpool e krahasoi situatën aktuale me periudhat më të vështira ekonomike globale.

“Ky nivel i rënies së industrisë është i ngjashëm me atë që kemi vërejtur gjatë krizës financiare globale dhe madje edhe më i lartë se gjatë periudhave të tjera të recesionit”, deklaroi kompania.

Analistët paralajmërojnë se ngadalësimi ekonomik mund të përkeqësohet në muajt në vijim, pasi fuqia blerëse e konsumatorëve po dobësohet dhe kompanitë po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë kostot fikse.

Sipas tyre, kjo situatë rrezikon të godasë marzhet e fitimit të kompanive gjatë tremujorit të dytë dhe më tej.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve pritet të ushqejë më tej inflacionin global, në një kohë kur besimi i konsumatorëve konsiderohet tashmë i brishtë.

“Konsumatorët po hezitojnë të zëvendësojnë produktet dhe po zgjedhin t’i riparojnë ato”, deklaroi Bitzer, duke reflektuar pasiguritë në tregjet ndërkombëtare.

Konflikti ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në transportin ndërkombëtar dhe furnizimet industriale. Mbylljet dhe kufizimet në rrugët tregtare kanë rritur ndjeshëm kostot e transportit, ndërsa furnizimet me lëndë të para si plehrat kimike, heliumi, alumini, polietileni dhe materiale të tjera strategjike janë goditur rëndë.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse tensionet ushtarake vijojnë dhe situata në Ngushticën e Hormuzit përshkallëzohet më tej, ekonomia globale mund të përballet me një valë të re inflacioni dhe ngadalësimi ekonomik në muajt e ardhshëm.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat