back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 4 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Shqipëria po zbrazet”/ Jorida Tabaku: Çdo orë largohen gjashtë të rinj

“Shqipëria po zbrazet”/ Jorida Tabaku: Çdo orë largohen gjashtë të rinj

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin mbi zbrazjen e Shqipërisë. Në një video në rrjetet saj sociale, Tabaku theksoi se në 10 vitet e fundit, popullsia është zvogëluar me 15%, sipas të dhënave të vetë qeverisë, një tregues dramatik i largimit të shqiptarëve për shkak të mungesës së mundësive dhe një ekonomie të kapur nga oligarkët.

“Çdo orë largohen gjashtë të rinj, ndërsa çdo vit Shqipëria humbet një qytet të tërë – sa Gjirokastra. Ky nuk është një trend natyral, por një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të dështuara të kësaj qeverie, që ka monopolizuar ekonominë dhe ka mbyllur çdo derë për të rinjtë dhe shtresën e mesme,” u shpreh Tabaku.

Ajo vuri theksin se largimi masiv i shqiptarëve nuk është thjesht një problem social, por një krizë kombëtare, e cila po sjell plakjen e popullsisë dhe shkatërrimin e perspektivës për zhvillim afatgjatë. “Kemi një qeveri që i sheh qytetarët e saj si një problem që duhet të largohet, jo si një aset që duhet të mbështetet. Ata që sot ndodhen jashtë vendit nuk janë larguar nga dëshira, por nga mungesa e mundësive këtu, ” tha ajo.

Për herë të parë, më 11 maj diaspora shqiptare do të votojë, ndërsa sipas Tabakut ky moment duhet të shërbejë si një mundësi për të reflektuar mbi dështimet e qeverisë. Ajo theksoi se ndërsa mijëra shqiptarë votojnë nga jashtë, Shqipëria po përjeton një zbrazje të rrezikshme, që rrezikon të kthehet në një fenomen të pakthyeshëm.

“Ata që janë sot jashtë duhet të kenë një arsye për t’u kthyer. Nuk mjafton vetëm e drejta e votës, nëse qeveria nuk ofron zgjidhje për ekonominë, për pagat, për pensionet dhe për një treg të hapur ku të gjithë kanë mundësi të barabarta. Shqipëria ka nevojë për një paketë emergjence që ndalon hemorragjinë e largimeve dhe i jep frymëmarrje ekonomisë, ” deklaroi Tabaku.

Ajo prezantoi disa nga hapat kryesorë që Partia Demokratike do të ndërmarrë për të kthyer këtë krizë në mundësi:
Paga të dinjitoze dhe kushte më të mira për të rinjtë, në mënyrë që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.
Pensione dinjitoze për të moshuarit, që të mos përjetojnë varfëri ekstreme në vitet e fundit të jetës së tyre.
Një ekonomi të hapur dhe konkurruese , ku çdo qytetar mund të zhvillojë një ide apo biznes pa qenë i detyruar të largohet jashtë vendit.

“ Shpopullimi është sfida më e madhe që ka Shqipëria sot, por kjo qeveri e ka të vetmin plan ta mohojë atë dhe të vijojë politikën e saj të përqendrimit të pushtetit dhe pasurisë në duart e një pakice. Më 11 maj, diaspora do të japë një mesazh të qartë për një ndryshim real. Ne do të punojmë që ky ndryshim të jetë i prekshëm për të gjithë ata që duan të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, ” përfundoi Tabaku.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat