Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda mori pjesë në analizat vjetore të punës në drejtoritë vendore të Policisë Elbasan dhe Korçë.
Proda ka kërkuar nga të gjitha strukturat policore të jenë të baraslarguara nga subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore.
“Punonjësit e Policisë duhet të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe detyrimet që burojnë prej tij, duke garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve elektorale, për sa i përket punës së Policisë së Shtetit, e cila ka vetëm një detyrë, të garantojë rendin dhe sigurinë dhe të zbatojë ligjin.
Cilido punonjës policie që do të konstatohet se nuk do të zbatojë këto detyrime që rrjedhin nga ligji për Policinë e Shtetit, do të largohet pa asnjë hezitim nga radhët e Policisë së Shtetit”, ka tërhequr vëmendjen Proda.
Në analiza morën pjesë edhe prokurorët respektivë të Korçës dhe Elbasanit, të cilët kanë vlerësuar punën e strukturave të Policisë, kanë vlerësuar bashkëpunimin me to, si dhe kanë premtuar mbështetje për Policinë në kërkesat për të çelur hetime proactive.
Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda ka theksuar se bashkëpunimi i Policisë me agjencitë ligjzbatuese në Elbasan është model për t’u ndjekur edhe nga drejtoritë vendore të tjera. Ky bashkëpunim, sipas tij, ka prodhuar rezultate konkrete në luftë kundër krimit.