back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 24 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaKosovë: Zgjedhje të qeta, pjesëmarrje mbi 40%

Kosovë: Zgjedhje të qeta, pjesëmarrje mbi 40%

Në Kosovë përfundoi procesi i votimit për zgjedhjet e rregullta parlamentare, pas një mandati katër vjecar të qeverisë së kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje drejtuar nga Albin Kurti. Sipas KQZ-së, zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë, nuk u shënua ndonjë incident, ndërsa përqindja e pjesëmarrjes në votime ishte më e vogël sesa në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte 48%.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin mbi dy milionë qytetarë, ndërsa votuan rreth 790 mijë qytetarë, që përkthyer në përqindje ishte pak mbi 40%. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve ende nuk ka por, sipas KQZ-së ato janë në proces të numërimit dhe mund të priten së shpejti.

Mbi 940 qendra votimi ishin të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës iu bashkuan vëzhguesve tjerë vendas e ndërkombëtarë. Zgjedhje u mbajtën edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte pak më e lartë sesa në zonat e tjera të Kosovës. Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komunitetet e tjera pakicë.

Njohësit e rrethanave politike thanë, se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik edhe në mesin e serbëve të Kosovës. Votuesit në zgjedhjet e 9 shkurtit zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh qeverinë e re të Kosovës. Në garë zgjedhore ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Katër kandidatë nga katër partitë më të mëdha garuan për postin e kryeministrit.

Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosja, Bedri Hamza nga PDK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës. Këto zgjedhje ishin një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit në zgjedhjet e vitit 2021 fitoi thellë kundrejt rivalëve të tij politik. Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat