10 goditje në kuadrat, 8 jashtë tij, 27 raste të krijuara për gol, 71% kontrolli i topit,14 goditje këndi të ekzekutuara dhe në fund rezultati 0-1 për kundërshtarin. Nëse dikush ka ende dyshime se përse futbolli është i paparashikueshëm, pasi të ketë parë sfidën mes PSG dhe Liverpool, do duhet të largojë menjëherë çdo pikëpyetje. Liverpool vuan, zhvillon ndoshta ndeshjen më të dobët të sezonit, teksa zhvillon thuajse 90% të ndeshjes në gjysmëfushën e vet, në pritje të sulmeve të parizienëve, por në fund ia del të çojë në shtëpi një fitore që i jep avantazhin për sfidën e kthimit, një javë më pas në “Anfield”.
PSG dominoi nga nisja e takimit, teksa Kvaratchkelia, Osmane Dembele dhe Barcola iu afruan disa herë golit, por Allison ishte thjesht perfekt, me portierin brazilian që neutralizoi gjithçka në “Parc de Princes”. Kvara tundi rrjetën në minutën e 20, por goli i tij shumë i bukur për fatin e keq të vendasve do të anulohej nga VAR për një pozicion të parregullt. Edhe pjesa e dytë do të kishte të njëjtën tablo, me PSG që nuk do të hiqte dorë nga sulmet, ndërsa “The Reds” do të mbroheshin me fantazëm. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, edhe njëherë tjetër ligji i pashkruar i futbollit do të vërtetohej, me PSG që do të pësonte gol 3 minuta nga fundi. Elliot i sapofutur në fushë nga Slot, shfrytëzon saktë pasimin e Nunez dhe me një diagonale e ndal topin në cepin e djathtë të portës, duke mposhtur portierin Donnaruma.
Vendasit nuk i besojnë syve, të besuarit e Luis Enriques gjenden nën shock. Një ndeshje më shumë se sa pozitive, e zhvilluar nga kampionët francezë, por që në fund janë ata që dalin duarbosh. Liverpool ndërkohë merr një rezultat shumë pozitiv, por me Slot që duhet të ndryshojë mënyrën e qasjes së të tijëve në lojë, për të mos rrezikuar kualifikimin në sfidën e kthimit.