Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër qeverisë është shoqëruar këtë të shtunë me disa episode tensioni dhe përplasje fizike mes vetë protestuesve. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike mungoi për të tretën herë radhazi në tubim, mbështetësit e tij dolën në bulevard nën drejtimin e deputetëve të PD-së, por situata u tensionua sapo në protestë u dëgjuan edhe thirrje kundër vetë Berishës.
Marshimi i demokratëve nga selia e PD-së drejt Kryeministrisë nisi me afro një orë vonesë. Në krye të tij ishin deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, ndërsa Sali Berisha nuk u shfaq mes protestuesve, pavarësisht se ishte ai që kishte bërë thirrje për pjesëmarrje.
Por ajo që duhej të ishte një protestë kundër qeverisë u shndërrua në një përballje mes vetë pjesëmarrësve, kur disa qytetarë kundërshtuan përpjekjet e mbështetësve të PD-së për të kontrolluar mesazhet dhe thirrjet që dëgjoheshin në tubim.
Një nga incidentet u regjistrua gjatë protestës para Kryeministrisë. Një qytetar që brohoriti “Rama në burg, Berisha në burg” u përball me disa protestues demokratë, të cilët e goditën me shpulla dhe e ofenduan. Qytetari u detyrua të largohej nga grupi, ndërsa edhe më pas vijoi të përsëriste thirrjen kundër të dy liderëve politikë.
Tensionet u zhvendosën më pas edhe përpara Ministrisë së Arsimit, ku ishte paralajmëruar protesta e studentëve. Mbështetës të PD-së marshuan drejt tubimit të të rinjve, por u pritën me kundërshtime nga studentët, të cilët nuk pranuan që protesta e tyre të identifikohej me një forcë politike.
Nga turma u dëgjuan thirrje si “Arresto Berishën” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Disa studentë dhe qytetarë kërkuan që përfaqësuesit e PD-së të largoheshin, duke theksuar se protesta e tyre nuk ishte organizuar për t’i shërbyer opozitës.
Edhe këtu situata u përshkallëzua. Një qytetar që deklaroi se kishte dalë në mbështetje të të rinjve, por se nuk ishte përfaqësues i asnjë partie, u përball me kundërshtime dhe presion nga disa prej pjesëmarrësve. Ai këmbënguli se nuk do të largohej vetëm pse shprehte një qëndrim kundër Ramës dhe Berishës.
Një tjetër përplasje u regjistrua mes një qytetareje dhe aktivistes së PD-së, Xhulia Xhekaj. Kur qytetarja përsëriti thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg” dhe e pyeti se përse e shqetësonte përmendja e Berishës, Xhekaj iu përgjigj se asaj i interesonte largimi i Ramës dhe e ftoi të bashkohej me protestën.
Pamjet dhe raportimet nga terreni tregojnë se kundërshtimi ndaj përfshirjes së PD-së në protestën studentore nuk ishte një episod i izoluar. Të rinjtë kanë kërkuar vazhdimisht që tubimi i tyre të mos përdoret nga partitë politike, ndërsa përplasjet e sotme treguan se kjo vijë ndarëse mbetet një burim i fortë tensioni.
Në këtë situatë, bie në sy edhe mungesa e përsëritur e Sali Berishës. Kreu i PD-së u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në shesh dhe të mbështesin studentët, por vetë nuk është shfaqur në protestë, duke ua lënë drejtimin e tubimit deputetëve dhe strukturave të partisë.



