Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka përcaktuar datën 5 dhjetor 2026 si afatin e përfundimit të mandatit shtatëvjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela. Vendimi i marrë më 5 nëntor rikthen në vëmendje garën për drejtuesin e ri të organit të akuzës, e cila, pavarësisht se është hapur prej disa muajsh, është shoqëruar me vonesa dhe debate procedurale.
Çela e mori detyrën më 5 dhjetor 2019 dhe, me përfundimin e mandatit, nuk mund të qëndrojë më në këtë post. Ndërkohë, procesi për përzgjedhjen e pasardhësit të tij ende nuk ka përfunduar. Në garë janë pesë kandidatë: Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj.
Sipas procedurës, KLP duhet të përfundojë verifikimin dhe vlerësimin e kandidaturave, të kryejë renditjen dhe t’i përcjellë Kuvendit tre emrat më të vlerësuar. Më pas, Parlamenti duhet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me shumicën e cilësuar prej tri të pestash të të gjithë deputetëve, pra me të paktën 84 vota.
Kushtetuta parashikon edhe një mekanizëm në rast se Kuvendi nuk arrin të marrë një vendim. Nëse brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve nuk zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm, kandidati i renditur i pari nga KLP konsiderohet i emëruar. Pra, mungesa e një marrëveshjeje politike në Kuvend nuk e bllokon pafundësisht procesin e zgjedhjes.
Kush do ta zëvendësojë Çelën nëse nuk ka një kryeprokuror të ri më 5 dhjetor?
Kjo është një nga çështjet që merr rëndësi me afrimin e përfundimit të mandatit. Ligji nr. 97/2016, në nenin 39, parashikon funksionin e Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, i cili përfaqëson Prokurorinë e Përgjithshme në mungesë të drejtuesit ose kur vendi i tij mbetet përkohësisht i lirë.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm ushtron detyrat e nevojshme për funksionimin e institucionit dhe përfaqësimin e tij në marrëdhëniet me të tretët. Ai nuk merr automatikisht një mandat të ri shtatëvjeçar, por siguron drejtimin e përkohshëm deri në zgjidhjen e situatës.
Sipas të njëjtit nen, Zëvendësprokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, me të paktën 10 vjet përvojë si prokuror dhe me vlerësimin “shumë mirë” në tre vlerësimet e fundit etike dhe profesionale.
Kështu, nëse deri më 5 dhjetor Kuvendi nuk ka zgjedhur drejtuesin e ri dhe nuk ka përfunduar procedura kushtetuese e emërimit, funksionimi i institucionit mbulohet përkohësisht nga Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, sipas parashikimeve ligjore.
Pra, nëse Olsian Çela përfundon mandatin më 5 dhjetor pa u zgjedhur pasardhësi, ai që merr detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm si i përkohshëm është, Arqilea Koça, në bazë të kompetencave ligjore të zëvendësprokurorit.
Kujtojmë se Koça është zgjedhur numri dy i organit të akuzës në dhjetor 2025. Aktualisht Koça është në krye të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Karriera e tij në sistemin e prokurorisë i ka fillesat që në vitin 1989.
Ndërkohë, vonesat në KLP e bëjnë gjithnjë e më të ngushtë kohën në dispozicion për përmbylljen e garës. Këshilli duhet të zgjidhë fillimisht çështjet procedurale, të përfundojë vlerësimin e pesë kandidatëve dhe të dërgojë listën në Kuvend. Vetëm pas këtij momenti nis afati 30-ditor për zgjedhjen.
Për rrjedhojë, 5 dhjetori nuk është vetëm data kur përfundon mandati i Olsian Çelës, por edhe një pikë e rëndësishme për kalimin e drejtimit të Prokurorisë së Përgjithshme, në një kohë kur gara për pasardhësin e tij ende nuk është mbyllur.
E Vërteta.al
Nga apartamenti 86 m² te prona 393 mijë euro/ Çfarë deklaron Olsian Çela në fund të mandatit?
Pagat, Olsian Çela i hap rrugë dialogut me qeverinë?/ Zbutet edhe për ndryshimet në Kodin Penal
Olsian Çela drejt përfundimit të mandatit/ Gati gara për pasardhësin
A do të zhbllokohet gara për Prokurorin e Përgjithshëm me ndryshimet në KLP?
KLP në ngërç/ Në pikëpyetje gara për Prokurorin e Përgjithshëm
Gara për Prokurorin e Përgjithshëm/ Sherr dhe inate në KLP, dështon procesi





