KreuAktualitetRajoniTë gjithë kapitujt në tryezë/ Shqipëria futet në sprintin final të negociatave...

Të gjithë kapitujt në tryezë/ Shqipëria futet në sprintin final të negociatave me BE-në

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Qeveria shqiptare ka vendosur si objektiv mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027. Por, ndërsa kryeministri Edi Rama e ka prezantuar këtë afat si synimin kryesor të integrimit europian, raporti i fundit i Komisionit Europian tregon se Shqipëria ka ende një sërë problematikash për të zgjidhur, veçanërisht në funksionimin e institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit, drejtësinë, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në raportin e publikuar më 4 nëntor 2026, Komisioni Europian konfirmon se Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt e negociatave dhe ka përmbushur standardet e ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të çështjeve themelore. Gjithashtu, deri tani janë mbyllur përkohësisht katër kapituj, ndërsa objektivi i qeverisë mbetet mbyllja e të gjithë kapitujve brenda vitit 2027.

Megjithatë, vetë Brukseli thekson se për të arritur këtë synim nevojitet vazhdimi i reformave me cilësi të lartë dhe rezultate konkrete, jo vetëm përafrimi formal i legjislacionit me atë europian.

Rezultatet e SPAK nuk mjaftojnë pa vendime përfundimtare

Një nga fushat ku Shqipëria ka shënuar progres është drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit. Komisioni Europian vlerëson punën e SPAK, duke evidentuar pavarësinë e strukturës dhe rezultatet në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Por, pavarësisht këtij progresi, korrupsioni vijon të mbetet një problem serioz. Në rekomandimet e tij, Brukseli kërkon konsolidimin e rezultateve në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, si dhe më shumë vendime përfundimtare dënimi, veçanërisht në çështjet e profilit të lartë.

Një tjetër kërkesë lidhet me sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive që burojnë nga korrupsioni, si dhe rritjen e referimeve nga institucionet shtetërore drejt SPAK-ut.

Raporti evidenton gjithashtu se ndërhyrjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve në sistemin e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve, kanë vijuar gjatë periudhës së raportimit.

Demokracia dhe kontrolli parlamentar

Komisioni Europian evidenton një klimë të polarizuar politike dhe mungesë të dialogut konstruktiv mes shumicës dhe opozitës. Sipas raportit, Kuvendi ushtron vetëm pjesërisht funksionet e tij, përfshirë kontrollin ndaj ekzekutivit.

Brukseli përmend si problem refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, politizimin e emërimeve në institucione të pavarura dhe mungesën e konsultimeve publike për nismat ligjore.

Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore konsiderohet urgjente, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, pasi një pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias ende nuk janë zbatuar.

Për Komisionin Europian, procesi i integrimit nuk mund të mbështetet vetëm te angazhimi i qeverisë, por kërkon dialog politik, përfshirjen e opozitës dhe konsensus për reformat kryesore.

Liria e medias, financimi dhe ndikimi politik mbeten shqetësim

Një tjetër fushë ku Shqipëria ka ende punë për të bërë është liria e medias. Komisioni Europian vëren se pavarësia dhe pluralizmi mediatik vijojnë të ndikohen nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë dhe mungesa e transparencës së burimeve të financimit.

Raporti evidenton gjithashtu presionet, fushatat denigruese, paditë strategjike kundër gazetarëve dhe kushtet e pasigurta të punës në media.

Brukseli kërkon më shumë transparencë për pronësinë dhe financimin e mediave, përfshirë paratë që vijnë nga burimet shtetërore dhe private. Po ashtu, kërkohet transparencë në shpërndarjen e reklamave shtetërore, forcimi i pavarësisë së autoritetit rregullator dhe i transmetuesit publik, si dhe mbrojtje më e mirë për gazetarët.

Mjedisi dhe investimet strategjike, përplasje me standardet europiane

Një tjetër problematikë e evidentuar në raport është mbrojtja e mjedisit. Shqipëria ka shënuar progres të kufizuar në këtë fushë, ndërsa Komisioni Europian vëren se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjet e përsëritura të ligjit për investimet strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës.

Raporti përmend edhe protestat që nisën në maj 2026 kundër zhvillimit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, të cilat më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit.

Komisioni kërkon që investimet turistike dhe infrastrukturore të jenë në përputhje me standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, si dhe të garantohet pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje.

Në raport përmendet gjithashtu ndërtimi i aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës për kryerjen e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

2027, objektiv politik apo afat që kërkon rezultate?

Në dokumentin e tij, Komisioni Europian e konsideron objektivin shqiptar për mbylljen e negociatave në fund të vitit 2027 ambicioz, por të arritshëm, me kusht që të ruhet ritmi i reformave dhe të ketë dialog politik gjithëpërfshirës.

Shqipëria ka tashmë të hapur të gjithë grupkapitujt dhe ka nisur fazën e mbylljes së kapitujve. Por përfundimi i këtij procesi nuk varet vetëm nga miratimi i ligjeve dhe përmbushja e detyrimeve në letër. Ai kërkon zbatim të standardeve, rezultate të qëndrueshme dhe vlerësim nga shtetet anëtare të BE-së.

Për më tepër, edhe në rast të përfundimit të negociatave brenda afatit të synuar, anëtarësimi nuk bëhet automatikisht në vitin 2027. Pas mbylljes së negociatave duhet të përgatitet dhe nënshkruhet traktati i anëtarësimit, i cili më pas duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Kështu, rruga drejt anëtarësimit mbetet e lidhur me rezultatet konkrete të reformave, ndërsa raporti i fundit i Brukselit tregon se përtej hapjes së kapitujve, sfida kryesore e Shqipërisë është përmbushja e standardeve europiane në praktikë.

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat