“Kemi ardhur nga Kosova. Vullnetarisht. Askush nuk na organizoi”, thotë për Radion Evropa e Lirë një nga të mbledhurit në Parkun e Pionierit në Beograd, ku është ngritur një kamp i studentëve, që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.
Në shtatë ditët e fundit, Parku i Pionierit, i cili gjendet pranë institucioneve më të rëndësishme shtetërore të Serbisë, është bërë vend i protestave të studentëve, të cilët kërkojnë t’iu mundësohet ndjekja e ligjëratave në universitete.
Në këtë lokacion, aktualisht, gjenden edhe pjesëtarë të Njësisë së shpërbërë të Operacioneve Speciale , komandantët e së cilës janë dënuar për krime lufte dhe likuidime politike; zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, si dhe një grup më i madh njerëzish nga Kosova.
Për disa nga ta, mbështetja e kërkesave të “studentëve që duan të mësojnë”, nuk është motivi parësor për të qenë aty.

“Ne kemi ardhur për të mbështetur presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili është gjithmonë me ne”, thotë për Radion Evropa e Lirë një qytetar që prezantohet si Tihomiri nga Kosova.
I pyetur se sa kohë planifikojnë të qëndrojnë në Parkun e Pionierit, ai përgjigjet shkurtimisht: “Aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Pse protestojnë studentët?
Studentë, të mbështetur edhe nga qytetarë të tjerë, protestojnë anembanë Serbisë që prej incidentit në Novi Sad, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona vdiqën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit.
Ata kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për tragjedinë.
Prej muajsh, janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në Serbi, e shpesh bllokojnë edhe ura e kryqëzime rrugësh.
Duke u bazuar në pamje dhe me ndihmën e mjeteve online për krahasimin e fytyrave, Radio Evropa e Lirë identifikoi mes turmës Sasha Millosheviqin, kryetar i Komunës së Novobërdës në Kosovë dhe njëkohësisht kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Gjilanit – i cili funksionon në kuadër të sistemit serb – si dhe Sasha Sekulliqin, nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Prishtinës.


Në të njëjtën mënyrë u identifikua edhe Millan Kovaçeviq nga fshati Banjë, afër Skenderajt.

Kovaçeviq u shfaq në media në vitin 2018, kur Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i dhuroi dy lopë dhe pesë dele, pas një premtimi të mëparshëm të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Çadrat e tyre janë të vendosura para hyrjes së Pallatit të Vjetër, ku gjendet Kuvendi i Qytetit të Beogradit.
Ata nuk iu përgjigjën mesazheve dhe thirrjeve të gazetarëve të Radios Evropa e Lirë për komente.
Në Parkun e Pionierit, gazetarët e REL-it identifikuan edhe punonjës të institucioneve në komunën e Oseçinës në Serbinë qendrore.
Në fotografi shihen Zhelko Grujiçiq, anëtar i Këshillit Komunal të Komunës së Oseçinës, si dhe Svetozar Gaçiq, kryetar i Kuvendit Komunal të Oseçinës.
As kjo komunë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa zyrtarë komunalë janë duke qëndruar aktualisht në kampin në Beograd, dhe nëse komuna e ka organizuar udhëtimin e tyre.
Opozita serbe njoftoi më herët për “organizimet nga Lista Serbe”
Radio Evropa e Lirë merr vesh se serbë nga zona të ndryshme të Kosovës, si Shtërpca, Graçanica, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi e Zubin Potoku, kanë shkuar në kampin para Presidencës serbe.
Në mesin e tyre ka edhe punonjës të institucioneve serbe, që besohet se u janë dhënë mëditje dhe u është premtuar rritje e pagave mujore.
Ka edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, por që janë të afërt me Listën Serbe – partinë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Radio Evropa e Lirë ka informacione nga disa burime të afërta me personat që kanë shkuar në kamp, se ata janë informuar “brenda natës” se në çfarë ore dhe nga cili vend do të nisen për në Beograd, për t’i ofruar mbështetje presidentit serb, Vuçiq. Disa u nisën me autobusë të organizuar dhe disa me makinat e tyre private.
Burimet e Radios Evropa e Lirë duan të mbeten anonime për arsye sigurie.
Që nga fundi i shkurtit, opozita serbe në Kosovë ka paralajmëruar opinionin se Lista Serbe po organizon serbë nga Kosova, për të krijuar një “mur njerëzor” para Presidencës së Serbisë, për të “mbrojtur” presidentin Vuçiq nga “revolucioni me ngjyra”.
Radio Evropa e Lirë pyeti Listën Serbe dhe Presidencën e Serbisë nëse është e vërtetë se ato qëndrojnë pas organizimit të shkuarjes së serbëve nga Kosova në Beograd për të “mbrojtur” Vuçiqin, si dhe cili është qëllimi i një organizimi të tillë dhe nga kush duhet të mbrohet Vuçiq, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Trysni për shkak të pikëpamjeve ndryshe
Në anën tjetër, në Mitrovicë të Veriut – pjesa veriore e Kosovës – janë mbajtur deri më tani disa tubime, në mbështetje të studentëve në bllokada, e disa kanë shkuar edhe në protestat në qytete të ndryshme të Serbisë.
Njëri prej tyre është Goran Antiq nga Mitrovica e Veriut. Ai, gjithashtu, planifikon të marrë pjesë edhe në një tubim tjetër në Beograd, më 15 mars.
Antiq, i cili është pronar i një agjencie për transportin e udhëtarëve, bart me shpenzimet e tij edhe studentë dhe qytetarë të tjerë nga Mitrovica e Veriut, të cilët i mbështesin studentët në bllokada.
Motiv i tij – siç thotë vetë për Radion Evropa e Lirë – është t’i ndihmojë njerëzit “që janë duke luftuar për të vërtetën”.
“Do të jemi rreth 60 veta, ndoshta edhe më shumë. Kushdo që vjen, është i mirëpritur, nuk ka shantazh, ryshfet, frikë. Secili vendos sipas ndërgjegjes së vet”, thotë Antiq.
Ai shton se bashkëvendësit e tij që kanë ngritur kampe para Presidencës së Serbisë, për t’i përkrahur “studentët që duan të studiojnë”, janë “të shantazhuar” dhe “marrin ryshfet”.
“Së pari, nuk janë studentë, nuk kanë studiuar kurrë asgjë, vetëm i dëgjojnë punëdhënësit e tyre. Ata shantazhohen me punë, disave u ofrohen mëditje, disave u premtohet se do të punësohen… Të gjithë marrin ose para, ose ndonjë premtim. Në parim, askush nuk ka shkuar atje nga dashuria”, shprehet Antiq.
Sipas tij, Lista Serbe bën trysni, për shkak të “pikëpamjeve ndryshe”.
Ai thotë se institucionet arsimore në veri të Kosovës janë urdhëruar që të mos bashkëpunojnë me të dhe të mos e angazhojnë për ekskursione shkollore.
Ai thotë se nuk ndihet nën presion, se nuk kanë me çfarë ta shantazhojnë, sepse nuk është në “buxhetin e shtetit”.
Serbët nga Kosova marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë – nga pagat e pensionet deri te përfitimet sociale.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që kanë funksionuar nën sistemin e Serbisë, por punonjësit vazhdojnë të paguhen.

Përndryshe, disa studentë nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon brenda sistemit serb, kanë mbajtur një tubim tjetër në mbështetje të studentëve në bllokadë, më 13 mars. Ata janë përkrahur edhe nga disa profesorë dhe qytetarë të tjerë.
Një ditë më parë, një delegacion i studentëve nga Fakulteti Filozofik në Beograd ka dërguar një ftesë në Mitrovicë të Veriut, për një tubim të planifikuar në Beograd, për datën 15 mars.
Megjithatë, në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, Rektorati i Universitetit të Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se mbështet të drejtën e opinionit të lirë, por se distancohet nga pikëpamjet e individëve.
Ai ka theksuar se komuniteti akademik nuk duhet të politizohet./REL