Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka ndryshuar ndjeshëm vendimin për ish-shefin e Forcës së Posaçme Operacionale, Oltion Bistri, duke e dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për korrupsion dhe pastrim parash.
Apeli e ka shpallur fajtor Bistrin dhe i ka caktuar fillimisht një dënim prej 11 vitesh burgim. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare e dënimit është ulur në 7 vite e 4 muaj burgim.
Vendimi shënon një ndryshim të fortë në raport me atë të dhënë në Shkallën e Parë, ku ish-zyrtari i Policisë së Shtetit ishte dënuar vetëm me 2 vite burgim. Me vendimin e ri, Apeli ka rënduar ndjeshëm pozitën penale të Bistrit, duke ndryshuar vlerësimin e mëparshëm për akuzat që rëndonin ndaj tij.
Ndryshe nga vendimi i Shkallës së Parë, ku Bistri ishte dënuar me një masë më të ulët, Apeli e ka shpallur fajtor për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Me vendimin e Apelit të Posaçëm, i konfiskohen 1 milion euro pasuri, 3 apartamente dhe 2 biznese, të cilat shkalla e parë më herët ia kishte kthyer.
Dënimet për të pandehurit e tjerë mbeten të pandryshuara
Në të njëjtën çështje, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi edhe dënimet e dhëna nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të pandehurit e tjerë.
Konkretisht, Edmond Preka është dënuar me 7 vite burgim, ndërsa Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj burgim.
Për Behar Brajoviqin është lënë në fuqi dënimi me 8 vite e 8 muaj burgim, ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita do të vuajë 3 vite e 4 muaj burgim.
Kështu, ndërsa për katër të pandehurit e tjerë Apeli ka konfirmuar vendimet e Shkallës së Parë, për Oltion Bistrin ka ndryshuar tërësisht masën e dënimit, duke e çuar atë nga 2 vite në 7 vite e 4 muaj burgim.



