Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të kundërshtojë në disa drejtime provat dhe ekspertizat e administruara nga SPAK në dosjen penale ndaj tij. Kreu i Partisë së Lirisë ka depozituar në Gjykatën e Posaçme një dokument me mbi 100 faqe, ku parashtron kërkesa për administrimin e provave shtesë, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe verifikimin e disa prej çështjeve që lidhen me akuzat ndaj tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta e ka paraqitur këtë nismë si një përpjekje për të garantuar një proces të rregullt ligjor, duke iu referuar Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai pretendon se kërkesat e tij synojnë të sigurojnë respektimin e të drejtave procedurale dhe që çdo pretendim i mbrojtjes të marrë përgjigjen përkatëse nga gjykata.
Megjithatë, dokumenti i depozituar tregon se mbrojtja e Metës po kërkon të rihapë për shqyrtim disa prej elementeve kryesore mbi të cilat SPAK ka ndërtuar akuzën.
Një nga kërkesat lidhet me lobimin e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meta kërkon që GJKKO t’i drejtohet Departamentit Amerikan të Drejtësisë për të marrë informacion mbi marrëveshjen mes LSI-së dhe kompanisë GSIS, pagesat e kryera, shërbimet e ofruara dhe personat që kanë autorizuar shpenzimet.
Kjo është një prej çështjeve që mbrojtja kërkon të verifikojë përmes institucioneve amerikane, ndërsa vetë Meta ka mohuar të ketë kryer shkelje. Në seancën e fundit, ai deklaroi se ishte i gatshëm të udhëtonte drejt SHBA-së për t’u përballur me drejtësinë amerikane lidhur me këtë çështje.
Kundërshton ekspertizën financiare të SPAK
Një tjetër pikë ku Meta përplaset me hetimin e SPAK është ekspertiza financiare e administruar gjatë hetimeve paraprake. Ish-presidenti kërkon që gjykata të marrë informacion nga ILDKPKI për mënyrën se si janë trajtuar ndër vite të ardhurat e zyrtarëve publikë në deklarimet e pasurisë.
Përmes kësaj kërkese, mbrojtja synon të kundërshtojë interpretimin financiar të prokurorisë dhe mënyrën se si janë analizuar të ardhurat e deklaruara nga Meta dhe familjarët e tij.
Në dokument kërkohet gjithashtu marrja në pyetje e dëshmitarëve, si dhe përjashtimi i disa deklarimeve që, sipas mbrojtjes, nuk janë administruar në përputhje me rregullat procedurale.
Një tjetër pretendim lidhet me monitorimin e takimeve të Metës me avokatin e tij. Kreu i Partisë së Lirisë kërkon ndërhyrjen e gjykatës për të garantuar konfidencialitetin e komunikimit me mbrojtësin ligjor, duke pretenduar se mbikëqyrja ka cenuar të drejtën e tij për një mbrojtje efektive.
Meta: Standardet e GJEDNJ-së janë detyrime, jo rekomandime
Në reagimin e tij publik, Meta argumenton se kërkesat mbështeten në nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt dhe gjykim të drejtë.
Ai ka publikuar të plotë dokumentin e depozituar në GJKKO, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të transparencës ndaj publikut.
“Standardet e GJEDNJ-së nuk janë rekomandime, por detyrime që duhet të udhëheqin çdo proces gjyqësor”, shkruan Meta.
Ndërkohë, SPAK e akuzon ish-presidentin për tre vepra penale: përfitim të parregullt përmes ndikimit të ushtruar për shkak të funksioneve të larta shtetërore, pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale dhe mosdeklarim të shpenzimeve të larta e të aseteve në formularët zyrtarë.
Meta i ka kundërshtuar akuzat dhe pretendon pafajësinë. Kërkesat e tij tashmë i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme, e cila do të duhet të shqyrtojë nëse provat dhe veprimet procedurale të kërkuara nga mbrojtja do të pranohen në proces.
Përtej deklaratave publike për besimin te drejtësia, beteja e Metës në gjykatë po përqendrohet te rrëzimi i interpretimit financiar të SPAK, verifikimi i lobimit në SHBA dhe ligjshmëria e provave të mbledhura gjatë hetimit.



