back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 14 Mars, 2025
spot_img
KreuAktualitetProtesta për mbylljen e TikTokut/ Berisha u bën thirrje të rinjve

Protesta për mbylljen e TikTokut/ Berisha u bën thirrje të rinjve

Në konferencën e së premtes me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi skandalet në projektet infrastrukturore. Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë qenë vite të bllokimit të zhvillimit të infrastrukturës. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë vjedhur të paktën 11 miliardë euro nga një total prej 12 miliardë eurosh të dedikuara për projektet infrastrukturore. Berisha akuzoi drejtpërdrejt ministren Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si përgjegjësen kryesore për këto vjedhje të fondeve publike. ‘Lubi Balluku është përgjegjëse kryesore për këto vjedhje të tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve’, deklaroi Berisha.

Në të njëjtën konferencë, kryedemokrati Berisha përmendi rëndësinë e hekurudhës Tiranë-Prishtinë, duke e cilësuar si projektin më të madh pas Rrugës së Kombit, që do të forcojë lidhjet mes dy vendeve. Ai tha se ky projekt do të realizohet gjatë mandatit të ardhshëm të qeverisjes së demokratëve. ‘Kjo hekurudhë u rikthye në tryezë në vitet 2005-2013, kjo hekurudhë do ndërtohet gjatë mandatit të ardhshëm. Kombi do ketë edhe lidhjen e fortë, të shkurtër hekurudhore’, nënvizoi kreu i PD në fjalën e tij.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha premtoi gjithashtu se, nën drejtimin e Partisë Demokratike, Unaza e Shqipërisë do të jetë një tjetër projekt madhor infrastrukturor që do të urbanizojë periferinë dhe do të lidhë çdo qendër komune me akset kombëtare brenda 20 minutash.

Lideri i opozitës bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën anticensurë kundër mbylljes së TikTok-ut, duke theksuar rëndësinë e fjalës së lirë dhe të drejtës së qytetarëve për informacion të pakontrolluar nga qeveria. ‘Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë. Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët’, u shpreh lideri i opozitës për mediat.

Berisha kritikoi gjithashtu rrugën e Arbrit, duke thënë se ajo nuk plotëson standardet e sigurisë dhe se tuneli është ndërtuar në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë. Sipas Berishës, tuneli është ndërtuar duke shkelur kushtet dhe rekomandimet e kompanive më prestigjioze të fushës, ndër të cilat kompanitë daneze, edhe pse zona është problematike. Berisha theksoi faktin se, nën qeverisjen e Edi Ramës, vetëm 27 km të rrugës së Arbrit kanë kushtuar 450 milionë euro.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD, Sal iBerisha u shpreh edhe për festimet e Ditës së Verës në Elbasan dhe takimet e zhvilluara atje, duke lavdëruar kandidatët e Partisë Demokratike. ‘Pashë aty një ansambël. Nuk mbaj mend ndonjëherë të ketë patur para qytetarëve të atij qarku një ansambël të tillë’, theksoi kreu i PD-së.

Interesimit të gazetarëve për heqjen e disa emrave nga lista e PD për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 11 majit, me argumentin e mendimit ndryshe brenda partisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dha garanci se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Në konferencën e së premtes në selinë blu me median, Berisha tha se jo vetëm që mbështet diversitetin, por edhe e pranon atë.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se Edi Rama e lëshoi Veliajn, pasi ky i fundit bëri gabimin fatal duke u paraqitur si zëvendësi i tij .’I futi dhe ato çimkat me Uluziun, ja nxorrë regjistrimet ku i thotë ndër të tjera, Ajolës, shko e thuaji Ramës se, Belinda i ka paguar Olsit 2 mln euro në Greqi. Dhe ajo shkon i thotë, ajo nuk e dinte se çdo operacion aty drejtohej nga Rama’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha.

Teksa prej së enjtes së 13 shkurtit, të rinjtë dhe përdoruesit e platformës TikTok nuk kanë mundur më të futen në rrjetin social, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën që është parashikuar të zhvillohet në orën 19:00 të shtunën në Tiranë. ‘Do jem pjesë. Nuk jam unë maestro i Tik Tokut, janë të rinjtë’, u shpreh Berisha pas interesimit të gazetarëve nëse do të ishte pjesëmarrës.

FJALA E PLOTE:

Përsëri një urim të përzemërt, një lule të bukur për të gjithë shqiptarët këtë ditë të ndërrimit të natyrës, këtë ditë shprese, optimizmi, ditë ndryshimi.

Sot jam këtu për të paraqitur elementët bazë të programit të PD-së për infrastrukturën e Shqipërisë.

PD, promotore e ndryshimeve më të fuqishme infrastrukturore të vendit, pas 11 majit merr përsipër kompletimin përfundimtar të ndërtimit të infrastrukturës më moderne që Shqipëria ka pasur në t gjitha kohërat.

PD gjatë viteve 2005-2013, ndërtoi dhe rindërtoi rrugë, autostrada, tunele më shumë se në të gjitha kohërat të marra së bashku në Shqipëri.

Por krahas tyre, ajo në ato vite realizoi 220 studime dhe projekte, me të cilat Shqipëria transformohej tërësisht në rrafshin infrastrukturor.

12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës janë vitet e ndalimit pothuaj të kohës për ndërtimin e infrastrukturës.

Janë vitet e plaçkitjes më të madhe, më të jashtëzakonshme të fondeve, buxhetit publik, të përcaktuara për ndërtimin e rrugëve dhe veprave publike.

Do ndalem në disa shembuj për të ilustruar këto abuzime të tmerrshme dhe të paprecedent.

Rruga Tiranë-Elbasan u kontraktua me çelësa në dorë, me një lot, me vlerën 255 milionë euro me tunel me dy kalime.

Në qershor të vitit 2013, segmenti Ibë-Elbasan përfshirë dhe tunelet ishte tërësisht i përfunduar. Mbetën 7 kilometër, e hapur plotësisht traseja Ibë-Farkë. Këto 7 kilometra u kushtuan qytetarëve shqiptarë 215 milionë euro. U kushtuan 30 milionë euro për kilometër. Kushtuan me vjedhje 2.2 herë më shumë se sa 1 kilometër në tunel, i cili u ndërtua me 14 milionë euro kilometri.

Shembull tjetër i kësaj infrastrukture janë rrugët e ndërtuara me 10-fishin, 12-fishin e çmimit të rrugëve të ndërtuara më parë, ndërkohë që indeksi i çmimeve në ndërtim dhe punë publike, për materiale dhe të gjitha, është rritur me vetëm 32 përqind.

Nuk janë shënuar kurrë në histori vjedhje kaq të papërmbajtura siç janë shënuar në infrastrukturën e Shqipërisë.

Ka rrugë të cilat janë prokuruar dhe nuk ekzistojnë.

Ka rrugë që janë prokuruar me 73 milionë euro siç është rruga Qukës-Qafë Plloçë dhe ajo ka shkuar sot në 215 milionë euro dhe nuk është kurrkund në përfundim.

Për të mos thënë rruga Korçë-Kolonjë e cila në 18 kilometrat e para është ndërtuar me 800 mijë euro kilometri, kurse në pjesën tjetër, në 17 kilometrat e dytë, kostoja është rritur 7 herë. Mbi 5 milionë euro kilometri.

Nuk ka ndodhur, nuk mund të konceptohet një vjedhje e tillë.

Për të mos thënë Sheshi Shqiponja, rimodelimi i tij, 40 milionë euro nga Bashkia e Tiranës.

Unaza e Madhe, çmime stratosferike.

6 herë më shtrenjtë se sa 8 kilometrat e ndërtuara në kilometrat e ndërtuara para vitit 2013.

Pra, në infrastrukturë ku janë investuar 12 miliardë euro, ju garantoj se janë vjedhur më së paku 11 miliardë.

Ju lutem, vepra të përfunduara, me 65 miliardë euro buxhet të 12 viteve, është vetëm tuneli i Llogarasë, 19 kilometrat e Unazës së Tiranës të mbetura nga viti 2013 e këndej.

Është vetëm zgjerimi i Unazës së Tiranës tek Sheshi Shqiponja.

Janë 3-4 kilometra Elbasan-Librazhd.

Nuk mund të imagjinoj se ku janë zhdukur paratë.

Lubi Balluku është përgjegjëse kryesore për këto vjedhje të tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve.

Dhe jo më pak Edi Rama.

Mos harroni një gjë, 2.3 miliardë euro kanë kushtuar pllakat e gurëve të shtruar në sheshet e qyteteve.

Specialistë të shquar më garantojnë mua se kostoja e tyre nuk mund të jetë më e madhe se 300 milionë euro në maksimum.

Pra janë vjedhur fiks 2 miliardë euro nga korporata shtetërore e krimit që është qeveria.

Merr fund kjo.

Një audit i përgjithshëm pas datës 11 maj do bëhet për çdo qindarkë të investuar në infrastrukturë.

Dhe do t’u tregohet shqiptarëve se çfarë ka ndodhur, vjedhja e tmerrshme që është kryer në kurrizin e tyre.

Por nuk ishte ky qëllimi.

Qëllimi është për të shpalosur këtu përparësitë e projekteve të mëdha të infrastrukturës.

Ku do lëvizim ne në infrastrukturë?

Së pari, përparësi absolute do jetë zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës.

Dy, autostrada Milot-Shkodër, e cila pas Rrugës së Kombit, ka trafikun më të madh në Shqipëri përveç trafikut Tiranë-Durrës.

Bajpasi i Elbasanit, vepër që do fillojë menjëherë, për të cilën ne kemi gati projektin, që ka 12 vite që fle në sirtar. Unë nuk dua të përdor terma të vjetër, të flas për sabotime, por të fillosh ndërtimin e segmentit Elbasan-Librazhd në një segment që nuk ka asnjë lloj bllokimi trafiku dhe të mos ndërtosh me përparësi absolute bajpasin e Elbasanit, i cili u kushton udhëtarëve të paktën gjysmë orë vonesë, nuk them sabotim, por është korrupsion, korrupsion dhe vetëm korrupsion.

Dikush ka paguar Edi Ramën dhe Lubi Ballukun. Por ajo nuk mund të ndodhë.

Mungesa e bajpasit ka neutralizuar favoret e tunelit dhe të autostradës. Në kushtet e trafikut të lirë, Elbasani është bërë qyteti më i afërt me Tiranën.

Pra, hekurudha Tiranë-Prishtinë është projekti më madhor pas Rrugës së Kombit në infrastrukturën e Shqipërisë, që lidh dy vendet tona, por edhe brigjet shqiptare i bën brigjet më të rëndësishme se të gjithë detërat e tjera.

Kjo hekurudhë është një ide e vjetër, që nga Perandoria Otomane e viteve 1880 kur solli hekurudhën në Ferizaj. Kjo hekurudhë ishte një ide e Perandorisë Austro-hungareze.

Kjo hekurudhë u rikthye në tryezë në vitet 2005-2013, kjo hekurudhë do ndërtohet gjatë mandatit të ardhshëm.

Do ndërtohet. Kombi do ketë edhe lidhjen e fortë, të shkurtër hekurudhore.

Po!

Unaza e Shqipërisë do të jetë projekt tjetër madhor infrastrukturor.

Të dashur miq, në vitet 2005-2007, në zbatim të këtij projekti ne ndërtuam dhe rindërtuam rrugë nga Valbona gjer në segmentin Korçë-Ersekë, të cilin e filluam dhe ndërtuam 18 kilometrat e parë.

Kjo unazë do zbriste, do shkonte në Kolonjë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Do rikthehej rruga e bregut, e cila u rindërtua dhe do ndiqte bregun për të dalë në Velipojë dhe për të ecur drejt Hanit të Hotit dhe Vermoshit.

Në ndarjen e vjetër administrative, kjo unazë bashkonte dy të tretat e komunave të vendit. Kjo unazë, e tëra në zonat malore përveç ultësirës bregdetare, bënte disponibël të gjitha pasuritë e mëdha dhe potencialet turistike, bujqësore, blegtorale, etj, të dy të tretave të Shqipërisë.

Unaza me fjalë të tjera urbanizon të gjithë periferinë e Shqipërisë.

Ajo bën të mundur që çdo qendër komune në ndarjen e vjetër, të lidhet me akset kombëtare në kohë 20 minuta.

Këto janë vetëm disa nga projektet me përparësi të madhe të infrastrukturës në 4-vjeçarin që vjen.

Projekte të tjera të mëdha do të vazhdojnë.

Lugina e Drinit ka të gatshëm projektin për autostradën Vau i Dejës-Fierzë.

Por natyrisht thashë, përparësi absolute merr hekurudha.

Nuk po ndalem këtu në projektet e transportit detar dhe ajror, të cilat janë projekte madhështore dhe e bëjnë Shqipërinë epiqendër të transporteve në Ballkan.

Çështja e dytë që dua të sjell sot, thirrja ime këtë ditë feste për të gjithë gjimnazistët, për të gjithë studentët, për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për të gjithë të rinjtë, por edhe prindërit, të bashkohen nesër në protestën e madhe anticensurë.

Një tiran i barabartë me Habitullahun e Kabulit, i njëllojtë me Ajatollahun e Teheranit, një intolerant ndaj fjalës së lirë dhe mendimit të lirë, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin dhe konventat universale të të drejtave të njeriut, i vuri gërshërët TikTokut, duke firmosur në këtë mënyrë aktin më të rëndë të censurës që nga diktatura komuniste, që rrethonte vendin me zhurmues kundër radiove dhe televizioneve të vendeve të tjera.

Një goditje e rëndë shumë për fjalën e lirë, mendimin e lirë, të drejtën e komunikimit.

Një akt i ngjashëm shumë me firmën që Kristaq Rama, babai biologjik i Edi Ramës, vendosi më 10 gusht të vitit 1988 për të varur në litar poetin disident Havzi Nela.

Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë.

Të protestojmë kundër censurës.

Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët.

Në dekadat e mia në diktaturë, gjëja që urreja më shumë ishte censura, fondet rezervë të bibliotekave, të cilat mund të shfrytëzoheshin vetëm me autorizime speciale, se përndryshe nuk i prekje dot me dorë.

Kurse Edi Rama tejkaloi edhe këtë dhe censuron TikTokun, mjetin aktualisht më modern të komunikimit.

Bazuar fund e krye në intolerancën e tij ndaj kritikave që i bëhen në këtë mjet.

Garantoj të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, gjimnazistët, studentët dhe të tjerët, se me datën 12, TikTokun do e kenë në telefonat e tyre, në kompjuterat e tyre dhe do ndëshkohet rëndë për veprën antikushtetuese një megakrim i përmasave gjigante, Edi Rama për këtë akt të tij.

Ndaj dhe të lëmë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë dhe të lirisë, të protestojmë nesër në ora 7 në sheshin Skënderbej të Tiranës, të mblidhemi nga e gjithë Shqipëria.

Veçanërisht të rinjtë.

Kjo është protesta juaj.

Nesër fjala do jetë e juaja.

Nesër fjala e lirë do u ketë ju kalorësit mbrojtës të saj.

Ndaj dhe të mblidhemi të gjithë në mbështetje të tyre në kërkesën që kanë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat