Gjykata e Posaçme ka dënuar ish-gyqtarin të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj me 6 muaj burg.
Më herët GJKKO ka vendosur për konfiskimin e pasurisë së tij.
Bëhet fjalë toka, apartamente dhe garazhe, që u konfiskuan në kuadër të hetimeve ndaj ish-gjyqtarit i cili u akuzua për deklarim të rremë tē pasurisë, pasi ai u dorëhoq nga detyra para se t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.
Ish-magjistratit i’u konfiskuan pasuritë, me argumentin se ato janë përfituar nga burime te paligjshme.
Sipas njoftimit të mëhershëm të SPAK, janë konfiskuar 1000 m2 tokë nën Porto Palermo, Himarë-Vlorë, 2 bodrume në Ishull-Shengjin Lezhë, 3 apartamente me një sipërfaqe 218.06 m2, po në Ishull-Shëngjin Lezhë.
Njoftimi i GJKKO-së:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur
pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit
penal nr. 137/5 i vitit 2021, në ngarkim të pandehurit Guxim Zenelaj, i akuzuar për
kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i
rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose
i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a
paragrafi i dytë i Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim
të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, me vendimin Nr. 26, datë
17.03.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Guxim Zenelaj, për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij
me 6 (gjashtë) muaj burgim.
Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Guxim Zenelaj, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Tiranë. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 1(një) vit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a) T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë; b) Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë për ndryshimin e vendbanimit.
Bazuar në nenin 393 të Kodit të Procedurës Penale, shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak, në shumën 220,000 (dyqind e njëzet mijë) lekë dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen të pandehurit.
Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi