Pesë pacientët e fundit të lënduar në tragjedinë në Koçan dërgohen jashtë shtetit, përkatësisht në Suedi, ndërsa numri i përgjithshëm i pacientëve që po trajtohen aktualisht jashtë shtetit është 101, shkruan Alsat.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari zbardhi detaje rreth gjendjes shëndetësore të pacientëve brenda dhe jashtë shtetit. Ai tha se të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme.
“101 pacientë janë jashtë shtetit, mbas mbledhjes së Shtabit të Krizave në mëngjes konstatuam se të gjithë pacientët fatmirësisht janë në gjendje relativisht stabile, uroj dhe shpresoj që dalëngadalë disa pacientë të fillojmë ti lëshojmë për në shtëpi, sot tre apo katër pacientë do të lëshohen në shtëpi. Transferimi i fundit do të bëhet sot, vetëm në Suedi 5 pacientë dhe mbas asaj nuk kemi më transferime tjera”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Numri më i madh i pacientëve që po trajtohen jashtë vendit janë në Serbi gjithsej 30, në Bullgari 15, në Greqi 12 dhe në vendet tjera më pak se 10 pacientë. Numri i pacientëve që po trajtohen në klinikat shtetërore të vendit është 64 ndërsa 13 të tjerë në klinikat private. / Alsat.mk