Kosova është stacioni i radhës i shefes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e cila gjatë një conference të përbashkët, ka kërkuar që BE t’i heqë sanksionet Kosovës.
“Duke qenë shteti i parë që ka miratuar sanksionet ndaj Rusisë, Kosova ka dëshmuar se përqafimi me politikat e BE nuk janë vetëm fjalë, por edhe vepra konkrete. Mëkat që në Ballkan Perëndimor ka ende një shtet satelit të fortë të Rusisë, siç është Serbia. Serbia, sipas Shtëpisë së Bardhë, me agresionin në Banjskë ka pasur për qëllim të destabilizojë të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe duhet të marr përgjigjen e duhur.
Kosova po dëshmon në qasje konstruktive dhe po punon për fqinjësi të mirë. BE duhet t’i njohë dhe t’i vlerësojë këto arritje dhe masat e padrejta ndaj Kosovës të hiqen, pasi dëmtojnë qytetarët dhe e kanë dëmtuar dialogun duke e bërë të pabarabartë”, u shprej Osmani.
Pas Osmani, presidentja e KE-së, pritet të takojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.