Miliona lekë për një sistem që duhej t’u jepte shqiptarëve transparencë mbi pasuritë e zyrtarëve, por edhe në vitin 2026 qytetari nuk mund të hyjë lirshëm online dhe të shohë deklaratat e tyre.
Sistemi Elektronik i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, EACIDS, u konceptua pikërisht për të dixhitalizuar deklarimin dhe për të rritur transparencën mbi pasuritë e zyrtarëve. Projekti u mbështet nga Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe USAID, ndërsa qëllimi i deklaruar ishte krijimi i një sistemi elektronik për deklarimin dhe publikimin e interesave private.
Por vite pas nisjes së projektit, qytetarët ende nuk kanë aksesin e drejtpërdrejtë që premtohej.
Në raportin e vitit 2025, Komisioni Europian e thotë qartë se deklaratat e pasurisë duhet të bëhen publike online në përputhje me kërkesat ligjore, ndërsa ILDKPKI ka futur një funksionalitet kërkimi për të përmirësuar aksesin, por ai mbetet ende i bazuar te kërkesa.
Nga premtimi për publikim te pengesa e sigurisë
EACIDS nuk është një projekt i krijuar rishtazi. Në vitin 2019, sistemi u prezantua si pjesë e reformës për deklarimin dhe publikimin elektronik të interesave private të zyrtarëve. Projekti u mbështet nga BE-ja, Këshilli i Europës dhe USAID.
Në vitin 2020, Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e bazës shtetërore të të dhënave EACIDS. Sistemi parashikonte ndërveprim edhe me institucione të tjera, përfshirë bankat, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe administratën tatimore.
Në vitin 2022 sistemi hyri në përdorim për deklarimin elektronik të zyrtarëve. Por problemi qëndron pikërisht te pjesa tjetër, te publikimi për qytetarët.
Sipas Komisionit Europian, publikimi i deklaratave u pezullua për shkak të shqetësimeve të sigurisë kibernetike. Ndërkohë, qeveria ndërhyri në vitin 2023 në rregullat e EACIDS, duke përcaktuar se të dhënat duhet të mbrohen me enkriptim dhe se aksesi në sistem duhet të garantojë sigurinë e informacionit.
Sistemi është mirëmbajtur dhe vazhdon të kushtojë
Ndërkohë që qytetari nuk ka akses të drejtpërdrejtë te deklaratat, dokumentet e prokurimeve tregojnë se sistemi nuk ka mbetur pa financim.
Në vitin 2020, ILDKPKI lidhi një kontratë për mirëmbajtjen e sistemit EACIDS me vlerë 64.666.670 lekë pa TVSH, sipas të dhënave të prokurimit.

Gjurmët e pagesave në Thesar tregojnë se mirëmbajtja e sistemit ka vijuar edhe më pas. Vetëm në gusht 2022 shfaqen pagesa për mirëmbajtjen e EACIDS, ndërsa në maj dhe qershor 2023 figurojnë pagesa prej 599.298 lekësh secila për mirëmbajtjen e sistemit, sipas kontratës së vitit 2020.
Pra, në kohën kur qytetarët nuk kishin aksesin e premtuar, sistemi vazhdonte të mirëmbëhej me para publike.
32 milionë lekë të tjera për EACIDS
Në shtator 2024, ILDKPKI lidhi një tjetër kontratë me objekt mirëmbajtjen dhe shërbimet software të EACIDS. Vlera e kontratës ishte 32.012.736 lekë, ndërsa fitues ishte sërish INFOSOFT SYSTEMS.
Pra, vetëm kontrata e vitit 2020 dhe ajo e vitit 2024 kapin mbi 96 milionë lekë pa TVSH.

Kjo nuk përfaqëson domosdoshmërisht të gjithë koston e EACIDS dhe nuk duhet interpretuar si kosto totale e sistemit, pasi ekzistojnë edhe financime ndërkombëtare, infrastrukturë IT, siguri kibernetike dhe shërbime të tjera. Por dokumentet tregojnë qartë se mirëmbajtja e sistemit ka kërkuar dhjetëra milionë lekë ndër vite.
Në vitin 2025, duhet analizuar dhe modernizuar sërish
Më 11 dhjetor 2025, ILDKPKI hapi një procedurë me objekt: “Analizë e gjendjes aktuale dhe rekomandime për modernizimin e sistemit të deklarimeve EACIDS në të gjithë komponentët e tij”.

Pyetja shtrohet, nëse sistemi ishte funksional, i mirëmbajtur dhe kishte marrë financime të konsiderueshme ndër vite, pse në fund të vitit 2025 duhej bërë një analizë e re për gjendjen e tij dhe modernizimin?
Në 2026 kërkohen edhe 26 milionë lekë të tjera
Dhe historia nuk përfundon këtu. Më 15 korrik 2026, ILDKPKI publikoi një tjetër procedurë për: “Shërbim i mirëmbajtjes së sistemit të deklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesit EACIDS”, me fond limit 26 milionë lekë.

Pra, ndërsa në vitin 2025 sistemi po analizohej për modernizim, në vitin 2026 kërkohen përsëri miliona për mirëmbajtjen e tij.
Dhe pyetja mbetet e njëjtë se kur do të mundet qytetari të shohë drejtpërdrejt deklaratat e zyrtarëve, pa bërë kërkesë?
Edhe siguria kibernetike ka marrë miliona
Justifikimi për pezullimin e publikimit lidhet me sigurinë kibernetike. Por edhe kjo fushë ka pasur shpenzime të veçanta.
Në vitin 2024 ILDKPKI kreu një riorganizim të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, me një procedurë prej rreth 27,66 milionë lekësh, të fituar nga INFOSOFT SYSTEMS.
Në vitin 2025 rezulton një kontratë prej 2,935,000 lekësh për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve të sigurisë kibernetike të informacionit të ILDKPKI-së. Në shkurt 2026 është regjistruar një tjetër procedurë për rinovimin e licencave të komponentëve të sigurisë kibernetike dhe mirëmbajtjen e sistemeve, me vlerë 6,969,850 lekë.
BE-ja ende kërkon publikimin online
Çështja nuk është vetëm një pretendim mediatik.
Në raportin e saj për Shqipërinë 2025, Komisioni Europian rekomandon që ILDKPKI të rrisë efektivitetin dhe transparencën e kontrolleve të deklaratave dhe, veçanërisht, të sigurojë që deklaratat e personave të ekspozuar politikisht të jenë publikisht të disponueshme online.
Ndërkohë, vetë agjenda shqiptare e reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së e ka ende si masë: “Transparency through Transparent Albania and asset declarations (EACIDS)”, ku hapi i parë parashikon platformën e të dhënave të hapura dhe publikimin e deklaratave të pasurisë.
Pra, edhe në dokumentet e reformave të viteve të fundit, publikimi online vazhdon të trajtohet si një objektiv që duhet realizuar.
4.329 zyrtarë deklaruan në 2024
Nga ana tjetër, sistemi funksionon për pjesën e deklarimit. Raporti i monitorimit për vitin 2024 thotë se 4.329 subjekte kishin detyrim për të deklaruar pasuritë dhe vetëm 25 nuk e kishin përmbushur detyrimin në afat. Sipas raportit, 99.4% e subjekteve deklaruese e kishin përmbushur detyrimin. ILDKPKI deklaron gjithashtu se gjatë vitit 2024 kreu kontrolle të plota ndaj 817 subjekteve.
Kjo tregon se problemi nuk është se sistemi nuk përdoret. Sistemi përdoret nga mijëra zyrtarë. Problemi është se transparenca ndaj publikut nuk është në të njëjtin nivel.
Një sistem që funksionon për zyrtarin, por jo plotësisht për qytetarin.



