Teksa në të gjithë Europën protestohet kundër politikave të Donald Trumpit, në Itali mijëra vetë dolën në rrugë për të ngritur zërin kundër riarmatimit të Europës. Tubimi ishte thirrur nga ish-kryeministri italian dhe lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Giuseppe Conte.
Në mbarë kontinentin, qeveritë kanë njoftuar rritje të shpenzimeve të mbrojtjes përballë kërcënimit të Rusisë dhe këmbënguljes së presidentit amerikan që Europa të kujdeset për veten. “Në një moment kaq delikat si ky, ta gjendur mes dy zjarreve si Trump dhe Putin”, “riarmatimi thonë protestuesit, është një veprim krejtësisht i pamatur.
“Po dalim në rrugë për një arsye shumë të thjeshtë: Ne jemi plotësisht kundër kësaj mase europiane. Është e papranueshme që të shqyrtohet riarmatimi tani. Kjo është një situatë që nga këndvështrimi ynë, mund të na çojnë në një luftë të tretë botërore”, tha Tommaso Bello, demonstrues.
“Ka shumë gjëra të tjera për të bërë, investime që nuk po bëhen në shumë vende, jo vetëm në Itali, por edhe në të gjithë Evropën. Prandaj, investimi tek armët, meqënëse tashmë kemi mjaftueshëm, nuk është vërtet qasja e duhur”, tha Rosanna Macri, demonstruese nga Reggio Calabria.
“Nuk duhet reaguar kurrsesi ndaj dhunës me dhunë, sepse ajo con drejt një spiraleje dhune që s`ka fund pastaj. Unë nuk shoh të ketë pasur dhunë ndaj nesh nga Rusia. Nuk e kuptoj fare se përse duhet të riarmatosemi”, tha Nicola Pisani, demonstrues nga Bolonja.
I vendosur në krye të marshimit, udhëheqësi i Lëvizjes Pesë Yje dhe ish-kryeministri Giuseppe Conte kritikoi qeverinë e Giorgia Melonit dhe nxitimin e saj për ta miratuar planin e riarmatimit të propozuar nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Ne sot po dalim në shesh për t`i thënë një Jo të prerë shpenzimit të 800 miliardë eurove për të riarmatosur Europën”, u shpreh ai.