Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi pas shqyrtimit të denoncimeve të “Koalicionit për Reforma Integrim dhe Institucione të Konsoliduara”, të Organizatës “Qëndresa Qytetare” dhe të Partisë Demokratike, vendosi ti propozojë KAS, gjobë ndaj bashkëpunëtorit të Veliajt, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi.
KSHZ vendosi gjithashtu t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pushimin e shqyrtimit administrativ ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, Kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani.
Gjithashtu, u vendos dhënia e autorizimit KZAZ-së nr. 74 për krijimin e Komisionit të Qendrës së Votimit të Posaçme pranë burgut të Drenovës, Korçë dhe KZAZ-së nr. 23 për krijimin e Komisionit të Qendrës së Votimit të Posaçme në burgun e Durrësit.
U vlerësuan edhe raportet e monitoruesve të fushatës zgjedhore për periudhën e monitorimit 31 mars – 6 prill 2025.
Për këtë periudhë janë dorëzuar gjithsej 96 raporte monitorimi dhe janë evidentuar 77 aktivitete nga partitë politike dhe 8 zyra zgjedhore të hapura për zhvillimin e aktiviteteve përgatitore të fushatës zgjedhore.
Monitoruesit kanë dorëzuar 8 raporte shkeljesh nga subjektet zgjedhore për vendosje të materialeve propagandistike në shkelje me dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së në fuqi ndërsa 1 shkelje është denoncuar nga Partia Demokratike.
Komisioneri i’u dha 72 orë kohë subjekteve zgjedhore për heqjen e këtyre materialeve propagandistike.
U vlerësua raporti mbi veprimtaritë publike për periudhën 30 mars – 5 prill 2025 dhe u vendos fillimi i shqyrtimit administrativ ndaj bashkive Peqin dhe Has.
Gjithashtu, në përfundim të shqyrtimit administrative të denoncimeve të Partisë Demokratike u vendos pushimi hetimit administrative ndaj Kryetarit dhe Sekretarit të Këshillit të Bashkisë Klos dhe ndaj Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Në seancën e sotme u miratuan edhe rregullat dhe kriteret e ndarjes së hapësirave reklamuese zgjedhore në billboarde dhe city lights në mënyrë të barabartë për të gjitha subjektet zgjedhore.