Nisjen e fushatës elektorale të PD dhe koalicionit opozitar ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka konsideruar si, një shpërthim të besimit që qytetarët kanë tashmë tek opozita. Duke folur në konferencën me gazetarët në selinë blu, ai tha se kontrasti me ceremoninë qesharake të PS, është regjistruar vetëm në vitin 1992, duke shtuar se ajo është dëshmi e pakontestueshme e braktisjes së plotë të Edi Ramës nga socialistët dhe qytetarët e Tiranës.
‘Mitingu gjysëm mortor që ai organizoi për Erion Veliajn në sheshin e kryeqytetit kishte të paktën 30 përqind më shumë pjesëmarrës se sa fushata, në të cilën ai paraqiti vetëm një mashtrim të radhës, pasaportën evropiane të Edi Ramës, në të cilën janë të stamposura portretet e Taulant Ballës, Ilir Beqës, Lubi Ballukut, Damian Gjiknurit, Çyrbes, Lefter Kokës, Erion Veliajt, Bllakos, etj’, u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po shmang përballjen me qytetarët dhe debatin publik, duke bllokuar studiot televizive për veten dhe përfaqësuesit e tij. Sipas Berishës, Rama ka dy muaj që “përçmon shqiptarët” duke mos paraqitur asnjë program konkret dhe duke zëvendësuar fushatën me “parodi mediatike dhe batuta pa lidhje me realitetin”.
Kryedemokrati Sali Berisha e konsideroi takimin në Breshia me diasporën shqiptare atje, si nata me ditën në krahasim me takimin e patronazhistëve të Edi Ramës në Milano. Berisha tha se takimi në Milano i Ramës, ishte finalja e fushatës së tyre, ‘unë me njerëz, ai me klikime të blera’. Sipas Berishës, PD dhe opozita do të bëjë gjithçka që program i saj të bëhet pjesë e mendimit të qytetarëve, e debatit, duket garantuar në mënyrë absolute, se do të zbatohet pikë për pike.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha tha gjatë konferencës me gazetarët se kryeministri Edi Rama, është organizator i një fushate kriminale për blerjen dhe manipulimin e votave për zgjedhjet e 2025. Berisha denoncoi me emra se, Rama ka urdhëruar personazhe të njohur të botës së krimit që të angazhohen për të siguruar vota për kandidatët e tij, përfshirë Sara Milen në Elbasan dhe figura të tjera të mazhorancës në Durrës. “Edi Rama i ka thënë Suel Çelës se kontributi yt do të matet me votat që merr Sara Mile. Në Durrës, Gjushi dhe nipi i Xhevdet Troplinit, të lidhur me malavitën, janë në terren për të ndikuar në rezultatin elektoral”, deklaroi Berisha. Ai shtoi se ky angazhim i krimit të organizuar në fushatë ka ngritur alarmin në institucionet ndërkombëtare, duke çuar në veprime të pazakonta si një seancë dëgjimore urgjente në Parlamentin Europian. Berisha paralajmëroi se çdo përfshirje në krime elektorale do të ndëshkohet rëndë dhe emrat e përfshirë do të shpallen “kriminelë ndërkombëtarë elektoralë”.
Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë konferencës së të hënës me gazetarët u ndal edhe te sistemi i drejtësisë, për të cilin tha se ndodhet në kolaps, për shkak të numrit të lartë të gjykimit të dosjeve nga gjyqtarët. Berisha tha se nga takimet që ka pasur me qytetarët, ka treguar se nuk do ta ndalë luftën e tij për ata që ndodhen në burg, një numër relativisht i lartë, për shkak se siç theksoi kryedemokrati, ndodhen në qeli pa asnjë akuzë.
Berisha nuk kurseu as akuzat ndaj Prokurorisë dhe Strukturës së Posaçme, për të cilën tha se shqetësimi i tyre i vetëm është zgjatja e mandatit përmes ndryshimeve ligjore të kërkuara nga ata në Kushtetutë, e jo te zbardhja e ngjarjeve dhe pafajësia e qytetarëve. ‘Nuk e ndryshojmë ne Kushtetutën pse Dumani ka frikë nga puna e tij’, theksoi ndër dtë tjera Berisha në konferencën me gazetarët.
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi në konferencën me gazetarët se për zgjedhjet e këtij viti është bërë puna më serioze dhe më efikase ndonjëherë për mbrojtjen e votës së qytetarëve. Berisha tha se transparenca e thelluar dhe monitorimi ndërkombëtar i procesit zgjedhor kanë vënë nën presion Edi Ramën, i cili sipas tij, nuk ka më hapësirë për manipulim.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas lajmit për një arrestim të dyshuar për blerje votash, duke e cilësuar ngjarjen si një “simulim i pastër” i orkestruar nga strukturat shtetërore për qëllime propagandistike. Ai akuzoi drejtpërdrejt Vlora Hysenin dhe Ardi Veliun si organizatorë të këtij inskenimi, në përpjekje për të njollosur opozitën përpara zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë konferencës me gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën për bllokimin e zgjerimit të BE nga Gjermania dhe Franca, për shkak të aktivitetit anti-demokratik të tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Sipas liderit demokrat është e pamundur që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, sa kohë që qeveria Rama ka në përbërje të kabinetit një ministër e deputet si Taulant Balla. ‘Ky i ka vënë të gjithë deputetët me dosje në mënyrë që të luftojnë për jetë ose vdekje për grabitje votash, përndryshe shkojnë të gjithë në burg’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët.
FJALA E PLOTE:
Siç e keni parë, fillimi i fushatës mund të vlerësohet eksplozion i besimit, i pëlqyeshmërisë.
Po, absolutisht nuk e keni parë kurrë të tillë në atë shesh, i qytetarëve të Tiranës, ndaj PD, programit të saj, i cili po bën fole çdo ditë e më shumë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë.
Ai entuziazëm që shpërtheu fillimisht në diasporën, ajo frymë optimizmi dhe vendosmërie që ju e patë në takimet fantastike që u zhvilluan në Romë, Parma, Milano, Athinë, Breshia, ai entuziazëm vërshoi dhe ngrohu së bashku me programin e PD, zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Analistët, kronistët, e quajnë hapjen e fushatës elektorale me datën 11 në sheshin Nënë Tereza, më të bukurin, më fantastikun që ai shesh ka njohur ndonjëherë.
Por po kaq ishte edhe konventa e PD, ku delegatët e saj, por edhe të ftuar, mirëpritën me entuziazëm të madh dhe optimizëm programin e PD për Shqipërinë Madhështore në 4 vitet që vijnë.
Breshia ishte një pikë kulmore tjetër e këtij programi, e këtij turi, e kësaj fushate.
Një entuziazëm i papërshkruar, një optimizëm dhe vendosmëri e madhe e shqiptarëve në diasporë për datën 11 për fitoren e PD dhe rotacionin e pushtetit.
Ndjehem pafundësisht mirënjohës, pafundësisht i motivuar dhe pafundësisht falënderues për të gjithë ata që kontribuan në këto zhvillime madhore të fushatës më të rëndësishme, që është fushata për zgjedhjet e vitit 2025.
Po ju e patë, një kontrast i papërshkrueshëm, një kontrast të atillë, Tirana nuk e ka njohur as në vitin 1992, midis hapjes së PD dhe asaj ceremonie qesharako-parodike në sheshin Skënderbej të Edi Ramës.
Ju e patë, në bulevardin e ri, me dhjetëra e dhjetëra autobusë, dëshmi e pakontestueshme e braktisjes së plotë të Edi Ramës nga socialistët dhe qytetarët e Tiranës. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë.
Mitingu gjysëm mortor që ai organizoi për Erion Veliajn në sheshin e kryeqytetit kishte të paktën 30 përqind më shumë pjesëmarrës se sa fushata, në të cilën ai paraqiti vetëm një mashtrim të radhës, pasaportën evropiane të Edi Ramës, në të cilën janë të stamposura portretet e Taulant Ballës, Ilir Beqës, Lubi Ballukut, Damian Gjiknurit, Çyrbes, Lefter Kokës, Erion Veliajt, Bllakos, etj.
Pra, kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur një dallim si nata me ditën midis dy kampeve siç ndodhi kësaj here.
Edi Rama ka dy muaj që përçmon shqiptarët duke mos paraqitur para tyre asnjë alternativë, duke u përpjekur që hapësirën mediatike, komunikimi për qytetarët, në vend që të jetë për programet, ta shndërrojë në një parodi, merret me bretkosa, me zhaba, me mustaqe… i kanë mbetur shumë merak mustaqet e Gjuzit, nuk hyjmë për ta analizuar këtu, me idilin me Bravën…
Pra, a janë këto shqetësimet e qytetarëve shqiptarë? Nuk mund të jenë këto shqetësimet e qytetarëve shqiptarë. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë kanë probleme të tjera madhore.
Po Edi Rama pse nuk hyn te këto? Edi Rama nuk hyn te këto se është shkaku i tyre.
Është shkaku kryesor i të gjithë vështirësive të mëdha me të cilat përballen shqiptarët. I largimit të tyre nga Shqipëria. I papunësisë. I rrogave të ulëta, varfërisë dhe mjerimit. I vjedhjes gjer tek ilaçet.
Unë po vija tani, sot unë kisha një takim ndër më të dhimbshmit që mbaj mend. Takova përfaqësuesit e shoqatave të personave me aftësi ndryshe.
Dhe ftoj çdo njeri të ndjekë diskutimet e tyre në FB tim sepse mediat e mëdha i censurojnë, për të kuptuar se cilat janë hallet e paimagjinueshme të këtyre njerëzve.
Se si koha jo vetëm ka ndaluar në vitin 2013, por është kthyer mbrapsht dhjetëra vite të tjera. Iu janë hequr edhe një pjesë e mirë e atij kuadri të brishtë që u vendos për trajtimin e tyre. Atyre nafta iu është zbritur 6 herë në krahasim me atë që kanë pasur.
Atyre trajtimi i personave kujdestarë iu është zbritur 5 herë shuma që paguheshin, nga 100 mijë në 20 mijë.
Atyre u vihen taksa tani, nuk kishin asnjë taksë për të ardhurat më përpara.
Ata paguajnë në mënyrë të paimagjinueshme doganat 140 përqind me të cilat blejnë gjërat më të domosdoshme jetike pas operacioneve që kanë bërë.
Nuk mund të ketë një politikë më të pamëshirë se këto.
Prandaj Edi Rama përpiqet t’i mbulojë me zhaba, hardhucë, zhapinj dhe nuk flet asnjë fjalë për hallet e qytetarëve.
Prandaj ka bllokuar studiot televizive, nuk del në debate as vet, as me përfaqësuesit e tij, duke e parë që e kanë braktisur.
Se ishte një braktisje poshtëruese ajo që i ndodhi atij.
Atij i mbetën vetëm vallja e Lubisë dhe Lubive të tjera me aksesorë që zbrisnin minimumi 1200 euro më e vogla. Por nuk është koha që të tregosh luks para të varfërve. Nuk sfidohen të varfrit me luks.
Duhet të kuptojmë këtë gjë.
Njeriu mund të ketë pasione, por po i sfidove me luks të varfrit, tregon se je shumë i pashpirt.
Edi Rama merr orën 500 mijë euro me diamante, prandaj ata vazhdojnë të hanë dardha si Rama.
Pra ishte një fushatë e denjë me atë vallen që mbyllën. Nuk janë tre hajdutë ata, janë 30.
Dje paradite të gjithë titujt e portaleve të qeverisë dhe medieve hapeshin: sot ndeshja e madhe Berisha-Rama në Itali.
Ndeshja u zhvillua. U zhdukën të gjithë titujt se kapitulloi.
Se Breshia ishte shumëfishi, ishte krejtësisht një gjë tjetër, krahasuar me Milanon e mbushur me patronazhistë.
Vetëm në Kavaja u numëruan 50 patronazhistë që kishin shkuar atje.
Dhe meqë nuk mund të krahasoheshin më të pakrahasueshmet.
Dhe ngushëllimi i fundit të tij, Ymeri, shkroi se Rama fitoi betejën me klikime, duke blerë klikime, duke blerë likes.
Kjo ishte finalja e fushatës së tyre.
Unë me njerëz, ai me likes.
Unë me qytetarë shqiptarë, ai me blerje like-sash për t’i dhënë zemër.
Këto ishin ato që unë desha të shtroj se ky është një fillim i mbarë.
Ne do bëjmë gjithçka që ky program të bëhet pjesë e mendimit të qytetarëve, e debatit, duket i garantuar se në mënyrë absolute, pikë për pikë, do zbatohet.
Sot unë mbeta shumë i inkurajuar nga diskutimi i sotëm me personat me aftësi ndryshe.
I numëruan një nga një të gjitha privacionet që u kanë krijuar.
E vërteta, shumicën i kishin pasur.
Por unë nuk u mora me ato që kanë pasur, por u mora me ato që nuk kanë sot dhe i garantova që në mënyrë absolute do i kenë që të gjitha dhe në një nivel krejt të ri.