Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të shtyjë deri të martën, më 24 qershor, afatin për nisjen e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Shkak për këtë shtyrje është bërë mosdorëzimi i dokumentacionit të plotë nga pjesa dërrmuese e kandidatëve. Nga 13 aplikantë që kanë shprehur interesin për këtë post të rëndësishëm, vetëm 2 kanë dorëzuar dokumentacionin në mënyrë të rregullt dhe të plotë, çka e bën të pamundur vijimin e fazës së parë të shqyrtimit për 11 të tjerët.
Mes kandidatëve renditen emra të njohur të sistemit të rendit dhe drejtësisë si ish-drejtorët e Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Gledis Nano, zëvendësdrejtori aktual i BKH-së, Joni Keta, si dhe prokurori Andi Pogace.
Zgjedhja e drejtorit të ri të BKH-së vjen pas përfundimit të mandatit të kreut aktual Aida Hajnaj. Ky post konsiderohet kyç në funksionimin e hetimeve të nivelit të lartë që ndjek SPAK, ndaj edhe përzgjedhja e drejtuesit të ri pritet me interes të lartë publik.