Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka ngritur sot në Parlament akuza të forta ndaj kryetarëve të komisioneve parlamentare, duke i akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të ligjit.
Në fjalën e tij, Sula tha se institucionet shtetërore kishin detyrim ligjor për të raportuar në Kuvend deri në muajin qershor, por kjo nuk është realizuar.
“Në parlament duhet të raportonin institucionet. Sot jemi në korrik, dhe ky proces është injoruar plotësisht,” – deklaroi Sula.
Deputeti demokrat i bëri thirrje opozitës që të ndërmarrë një kallëzim penal, duke kërkuar që çështja të mos kalohet në heshtje apo të përdoret si mjet retorik në sallë.
“Opozita, nëse nuk bën teatër, duhet të reagojë dhe të bëjë kallëzim penal për kryetarët e komisioneve parlamentare. Ata kanë shkelur ligjin duke mos përmbushur detyrimet ndaj Kuvendit,” – theksoi ai.
Sula e konsideroi mosveprimin e komisioneve si një shmangie të përgjegjësisë ligjore, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e kontrollit parlamentar mbi institucionet e pavarura dhe agjencitë shtetërore.