Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të rënda ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, të cilin e cilëson si përgjegjës për “amnistimin e krimeve të rënda mjedisore” në Elbasan dhe Vlorë.
“Siç jeni informuar, për gjashtë ditë me radhë qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti,” deklaroi Berisha.
“Ky krim i rëndë mjedisor, ashtu si ai ciklik në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin. Paçka se krimet mjedisore sipas ligjit janë kompetencë e këtij institucioni, ato nuk hetohen dhe as denoncohen”, tha me tej ai.
Sipas Berishës, djegia e fushave të mbetjeve në Vlorë është kthyer në një fenomen që ndodh çdo tre muaj, me pasoja të rënda shëndetësore për banorët, duke përfshirë ekspozimin ndaj dioksinës dhe rrezikut të kancerit.
“Të digjen fusha e plehrave çdo tre muaj, të marrin vlonjatët dioksinë… Të gjitha këto nuk ekzistojnë për SPAK-un e Troplinit, sepse ai është një peng i verbër i Edi Ramës dhe Ulsi Manjës,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se Dumani ka vendosur institucionin e drejtësisë “në funksion të partisë së krimit dhe të qeveritarëve të krimit”.
Deklarata e Berishës vjen në vazhdën e përplasjes së tij të hapur me drejtësinë dhe SPAK, institucione të cilat ai i akuzon prej kohësh për “kapje politike” nga mazhoranca.